Netanyahu, lider i partisë së djathtë Likud, dhe Eisenkot, kryetar i partisë së qendrës Yashar, u takuan të dielën për të diskutuar mundësinë e krijimit të një qeverie të përbashkët, pas ngërçit politik të krijuar nga zgjedhjet e muajit të kaluar, raporton BBC.

Në një komunikatë të përbashkët, dy partitë i cilësuan bisedimet si konstruktive dhe të zhvilluara në frymë pune. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave hebraike, mes palëve kanë mbetur dallime të mëdha dhe është vendosur që ekipet negociuese të mos zhvillojnë takime të tjera.

Në zgjedhjet e tetorit, blloku i udhëhequr nga Netanyahu fitoi 53 ulëse, ndërsa koalicioni i Eisenkotit, i përbërë nga katër parti, siguroi 48 ulëse. Asnjëri prej tyre nuk arriti të sigurojë shumicën në Knesset, parlamentin izraelit me 120 deputetë.

Pas dështimit për të arritur marrëveshje me Likudin, Eisenkot ka vendosur të vazhdojë negociatat me partitë që tashmë janë pjesë e bllokut të tij, për të formuar qeverinë. Megjithatë, ai ka lënë të hapur mundësinë që Likudi t'i bashkohet koalicionit në një fazë të mëvonshme, raportoi gazeta Haaretz, duke iu referuar burimeve.

Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor për të formuar qeverinë.

Bisedimet e së dielës u zhvilluan pasi Netanyahu kishte propozuar krijimin e një qeverie të unitetit, me kryeministër të alternuar dhe pa përfshirjen e partive arabe. Ai kishte deklaruar se ishte i gatshëm që Eisenkot të merrte fillimisht postin e kryeministrit, por nuk kishte specifikuar kohëzgjatjen e mandatit të tij.

Në një postim në platformën X të shtunën, Netanyahu kishte thënë se përgjegjësia e tij si lider e obligonte të linte mënjanë gjithçka, përfshirë edhe parimin që partia më e madhe duhet ta udhëheqë qeverinë.

Ai kishte shtuar se pranonte që Eisenkot të bëhej fillimisht kryeministër, ndërsa vetë të shërbente si zëvendëskryeministër në fillim të mandatit.

Në përgjigje, Eisenkot e kishte ftuar Netanyahun në negociata të mirëfillta dhe të përshpejtuara.

Të premten, Eisenkot e kishte akuzuar Likudin se po i zvarriste negociatat për koalicionin, me qëllim që vendi të shkonte në zgjedhje të reja.

Ndërkohë, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, kishte zhvilluar konsultime me të gjitha partitë politike gjatë javës pas zgjedhjeve të 27 tetorit, përpara se t'ia besonte Eisenkotit mandatin për formimin e qeverisë, me afat prej 28 ditësh.

Eisenkot po përpiqet të krijojë një koalicion për ta larguar Netanyahun nga pushteti dhe deri më tani ka arritur marrëveshje për koalicion me dy parti.

Megjithatë, përpjekjet e tij janë penguar nga kundërshtimet për bashkëpunim me partitë arabe, si dhe nga vështirësitë për të arritur marrëveshje me partitë ultraortodokse.

Në zgjedhjet e fundit, dy aleanca të udhëhequra nga partitë arabe, Lista e Bashkuar Arabe dhe Lista e Përbashkët, fituan gjithsej 19 ulëse, pas një rritjeje të pjesëmarrjes së votuesve arabë.

Kjo u jep atyre potencialisht ndikim vendimtar në formimin e qeverisë. Megjithatë, pothuajse të gjitha partitë hebraike kishin premtuar para zgjedhjeve se nuk do të bashkëpunonin me partitë arabe për krijimin e qeverisë.

Netanyahu kishte arsyetuar propozimin për një qeveri të unitetit me rrezikun ekzistencial me të cilin, sipas tij, përballet Izraeli, duke paralajmëruar se një qeveri pa kapacitet për t'u përballur me këtë rrezik mund të vinte në pushtet.

Eisenkot, nga ana tjetër, kishte deklaruar se nëse Likudi ishte i gatshëm për një bashkëpunim të mirëfilltë, ai ishte i gatshëm të vlerësonte seriozitetin e këtij propozimi brenda 24 orëve.

Në Izrael, asnjë parti politike nuk ka arritur ndonjëherë të fitojë shumicën absolute në parlament, prandaj të gjitha qeveritë janë formuar përmes koalicioneve.

Periudha 2019–2022 ishte ndër më të paqëndrueshmet në politikën izraelite, kur vendi mbajti pesë palë zgjedhje, pasi Netanyahu dhe rivalët e tij dështuan vazhdimisht të arrinin marrëveshje për bashkëqeverisje.