Tokio reagon ashpër pas incidentit me avionët rusë në hapësirën ajrore japoneze
Dy avionë të dyshuar rusë hynë dy herë në hapësirën ajrore të Japonisë pranë prefekturës Fukuoka. Tokio ngriti avionët luftarakë dhe i dërgoi Moskës protestë të ashpër diplomatike, duke kërkuar garanci për parandalimin e incidenteve të ngjashme
Japonia ka paraqitur një protestë të ashpër diplomatike ndaj Rusisë, pasi dy avionë të dyshuar rusë kanë shkelur hapësirën ajrore japoneze në jugperëndim të vendit.
Sipas Ministrisë japoneze të Mbrojtjes, incidenti ndodhi në orët e para të së martës, pranë ishullit Okinoshima, në prefekturën Fukuoka.
Autoritetet japoneze njoftuan se avionët hynë në hapësirën ajrore në dy momente të ndryshme, ndërsa Forcat Ajrore të Vetëmbrojtjes ngritën avionë luftarakë për t'i identifikuar dhe për t'u dërguar paralajmërime përmes radios.
Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, e cilësoi incidentin si shkelje serioze të sovranitetit kombëtar dhe kërcënim për sigurinë e vendit.
Tokio ka kërkuar nga Moska që të marrë masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla.
Ndërkohë, autoritetet japoneze bëjnë të ditur se avionët kaluan përmes ngushticës Tsushima dhe më pas vazhduan fluturimin drejt Oqeanit Paqësor.
Incidenti vjen në një periudhë të tensionuar të marrëdhënieve mes Japonisë dhe Rusisë, ndërsa zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet për sigurinë në rajonin e Paqësorit.















