Nëntë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë
Nëntë raste të dhunës në familje janë raportuar në komuna të ndryshme të Kosovës gjatë 24 orëve të fundit. Në shumicën e rasteve, viktimat janë gra, ndërsa të dyshuarit burra, bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Rajoni i Prishtinës prin me numrin më të madh të rasteve, ku janë raportuar katër raste të ndara.
Në rastin e parë, një grua ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj saj nga një burrë. I dyshuari është intervistuar dhe, me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Në një rast tjetër, një burrë është vetëdorëzuar në polici, nën dyshimin se më 12 nëntor kishte ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.
Policia ka arrestuar edhe një burrë tjetër në Prishtinë, i cili dyshohet për dhunë në familje ndaj një gruaje. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Edhe në Podujevë është raportuar një rast i dhunës në familje, pasi një grua ka denoncuar një burrë për ushtrim të dhunës. Pas raportimit, viktima është larguar nga shtëpia, ndërsa i dyshuari vazhdon të jetë në kërkim të policisë.
Rastet e tjera janë regjistruar në disa komuna të vendit.
Në Pejë, një grua ka raportuar se ishte viktimë e dhunës në familje. Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në Gjakovë, një grua ka denoncuar se ishte kanosur përmes telefonit nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe, pas konsultimit me prokurorin, është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Rahovec, një grua ka raportuar se një burrë kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe personave të tjerë. Sipas Policisë, i dyshuari ishte nën ndikimin e alkoolit. Ai është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast është raportuar në Malishevë, ku një burrë dyshohet se kishte kanosur verbalisht një grua në lokalin ku ajo punonte. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti mbetet nën hetim.
Përveç rasteve të raportuara nga gratë, në Ranillukë është regjistruar një rast i dhunës në familje dhe i lëndimit të lehtë trupor, ku viktimë ka qenë një burrë.
Sipas Policisë, pas një mosmarrëveshjeje, ai është sulmuar nga dy persona dhe ka pësuar lëndime trupore, për çka ka marrë tretman mjekësor. Të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.















