Presidenca: Aktgjykimi i sotëm ndaj Thaçit e të tjerëve ngre shqetësime për respektimin e të drejtave të tyre
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në reagimin e Presidencës theksohet se Shiroka Pula vlerëson se aktgjykimi ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave të palëve në proces.
Shiroka Pula ka theksuar se çdo institucion i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, të drejtat e garantuara me të dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
"Çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke garantuar të drejtat e të akuzuarve dhe respektimin e procedurave ligjore", thuhet në reagimin e saj.
Presidentja ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ajo ka kërkuar që edhe Dhomat e Specializuara të veprojnë në frymën e këtyre standardeve, duke përfshirë edhe respektimin e të drejtës për ankim.
Në fund, Shiroka Pula ka theksuar se kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe sakrifica e popullit të Kosovës, janë pjesë e historisë së vendit dhe nuk mund të vihen në pikëpyetje nga proceset gjyqësore.















