Sulmet izraelite në Gaza vrasin katër palestinezë, mes tyre një fëmijë 6-vjeçar
Të paktën katër palestinezë, përfshirë një djalë gjashtëvjeçar, janë vrarë të martën nga të shtënat dhe sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë shëndetësorë.
Sipas mjekëve, dy persona, mes tyre gjashtëvjeçari Eyas El-Nimnim, u vranë nga të shtënat izraelite në dy incidente të ndara në pjesën lindore të Deir Al-Balahut, në Gazën qendrore.
Ndërkaq, dy persona të tjerë u vranë nga dy sulme ajrore në zonat Khan Younis dhe Bir Al-Naja, përkatësisht në jug dhe në veri të Rripit të Gazës, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar menjëherë raportimet për këto incidente.
Edhe pse armëpushimi i tetorit 2025 ndali luftimet në shkallë të gjerë mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, sulmet izraelite kanë vazhduar dhe nuk është arritur çarmatimi i grupit militant.
Autoritetet shëndetësore në Gaza bëjnë të ditur se të paktën 1 mijë e 600 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit. Gjatë së njëjtës periudhë, sipas të dhënave të tyre, janë vrarë edhe pesë ushtarë izraelitë.
Ndërkaq, sipas autoriteteve palestineze, numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë në fushatën ushtarake izraelite që nisi pas sulmit të 7 tetorit 2023 ka kaluar 74 mijë.
Në atë sulm, luftëtarë të udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1 mijë e 200 persona në jug të Izraelit, sipas të dhënave izraelite.















