Sekuestrohen 136 kilogramë marihuanë në Kaçanik, arrestohen tre persona
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka sekuestruar 136 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të Doganajt në Kaçanik.
Ai ka njoftuar se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.
Sipas Sveçlës, gjatë aksionit njëra nga veturat e dyshuara, në përpjekje për t'i ikur Policisë, ka shkaktuar aksidente trafiku, ndërsa zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit për ta ndaluar.
Sveçla ka bërë të ditur se njëra nga veturat e përfshira në rast ngre dyshime për implikimin e një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale.
“Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar për të hetuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat e rastit. Besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës do ta ruajmë dhe forcojmë përmes angazhimit të vazhdueshëm duke pastruar nga radhët e saj çdo individ të lidhur me krimin”, ka shkruar ai.
Sveçla, mes tjerash, ka theksuar se nuk do të tolerohet përfshirja e asnjë individi apo zyrtari në veprimtari kriminale.
“Asnjë individ apo zyrtar nuk do të tolerohet të shkelë ligjin, e aq më pak të përfshihet në veprimtari kriminale që helmojnë rininë tonë”, ka deklaruar Sveçla.















