Sekuestrohen mbi 120 gramë marihuanë në Mitrovicë, arrestohet një person
Policia e Kosovës ka sekuestruar 117.9 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë në Mitrovicën e Jugut, ndërsa një person është arrestuar nën dyshimin për shitje dhe shpërndarje të narkotikëve.
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion taktik të koduar “KIOSKU” në Mitrovicën e Jugut, gjatë të cilit janë sekuestruar mbi 120 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e saj për shitje.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, fillimisht është ndaluar një person i dyshuar, te i cili gjatë kontrollit janë gjetur 4.5 gramë marihuanë.
Me urdhër të prokurorit, policia ka kontrolluar një lokal dhe një banesë në pronësi të të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar edhe 117.9 gramë marihuanë, tri peshore digjitale, një telefon celular dhe 435 euro para të gatshme.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se lufta kundër narkotikëve do të vazhdojë, duke e cilësuar atë si mbrojtje të shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve.















