S'mbahet seanca ndaj Jeton Sylajt, avokati Berisha: Prokuroria s’e cilësoi Arlindën si viktimë të ndjeshme
Avokati i familjes së Arlinda Zekajt, Besnik Berisha ka deklaruar se seanca fillestare ndaj Jeton Sylajt nuk u mbajt për shkak të një kërkese të tij lidhur me aktakuzën.
Berisha tha se, para pranimit të aktakuzës, kishte vërejtur, siç e quajti ai, një lëshim të Prokurorisë, pasi Arlinda Zekaj nuk ishte cilësuar si viktimë e ndjeshme.
Sipas tij, në aktakuzë i ishte dhënë një benificion ish-bashkëshortit të saj, tashmë të akuzuar për kanosje të rëndë, të cilin Berisha e konsideron të pambështetur në ligj dhe në praktikën gjyqësore.
“Arsyeja e mosmbajtjes lidhet me një kërkesë timen pas pranimit të aktakuzës, e cila ndodhi në fillim të shqyrtimit fillestar. Ku kam vërejtur edhe një lëshim skandaloz të Prokurorisë, përkatësisht të prokurorit, që ka hartu këtë aktakuzë, duke mos e cilësuar të ndjerën si viktimë të ndjeshme dhe duke i dhënë një benificion që nuk ia njeh as ligji dhe as praktika gjyqësore ish-bashkëshortit të saj, tani të akuzuar për një kanosje të rëndë”, ka deklaruar ai.
Ai bëri të ditur se i ka kërkuar gjykatësit që t'i drejtohet Prokurorit të Shtetit dhe mekanizmave të tjerë për të vlerësuar ligjshmërinë dhe kualifikimin juridik të aktakuzës, duke kërkuar tërheqjen e saj.















