Në këtë organizim do të marrin pjesë investitorët që zotërojnë sasi të caktuara të kësaj kriptovalute, ndërsa përfitimet dhe privilegjet do të ndahen në bazë të nivelit të investimit.

Sipas faqes zyrtare të ngjarjes, darka do të mbahet në Trump National Golf Club në Sterling të Virxhinias. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të takojnë personalitete të njohura, përfshirë kampionin e boksit Floyd Mayweather, investitorin e emisionit “Shark Tank”, Kevin O’Leary, kampionin e NBA-së Tristan Thompson dhe mentalistin Lior Suchard, raporton The Guardian.

Në aktivitet janë përfshirë 185 investitorë të kriptovalutës $TRUMP. Nga ta, 120 pjesëmarrës do të përfitojnë një parfum të markës Trump, një poster, një biletë përkujtimore dhe një orë Trump. Ndërkaq, 29 investitorët kryesorë do të ftohen në një pritje VIP, ndërsa katër investitorët me zotërimet më të mëdha do të marrin një orë të veçantë Trump prej ari 18-karatësh.

Trump ka organizuar edhe dy darka të ngjashme që nga marrja e detyrës vitin e kaluar. Këto aktivitete kanë nxitur kritika nga demokratët, të cilët e akuzojnë presidentin dhe familjen e tij se po përfitojnë financiarisht nga emri dhe pozita e tij, përmes investimeve dhe bizneseve në sektorin e kriptovalutave.

Pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, demokratët kanë paralajmëruar hetime për konfliktet e mundshme të interesit që lidhen me pasurinë personale të Trumpit gjatë presidencës së tij. Ata kanë bërë të ditur se synojnë të shtyjnë përpara edhe legjislacionin që do të ndalonte aktivitete të tilla, përfshirë darkat për investitorët e kriptovalutës së presidentit.

Në një letër të dërguar muajin e kaluar, senatori Adam Schiff dhe tetë senatorë të tjerë amerikanë kanë shprehur shqetësimin se organizimi dhe sistemi i shpërblimeve mund të nxisin investimet në $TRUMP, duke i mundësuar presidentit të përfitojë personalisht nga pozita e tij.

Sipas deklarimeve financiare të publikuara në qershor, Trump ka përfituar më shumë se një miliard dollarë nga bizneset e tij të lidhura me kriptovalutat që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë. Më shumë se 500 milionë dollarë thuhet se i ka fituar përmes kompanisë World Liberty Financial, nga shitja e produkteve të reja të kriptovalutave, ndërsa rreth 600 milionë dollarë nga shitja e monedhave digjitale përkujtimore me imazhin e tij.

Kriptovalutën meme $TRUMP, presidenti amerikan e lansoi disa ditë para inaugurimit të tij.

Interesimi për darkën e sivjetme, megjithatë, ka rënë ndjeshëm. Vlera e përgjithshme e zotërimeve të pjesëmarrësve në garën për të siguruar pjesëmarrjen ka rënë nga 148 milionë dollarë në maj të vitit 2025, në 8.6 milionë dollarë këtë muaj.

Sipas një analize të të dhënave të bllokzinxhirit, të përgatitur për Reuters nga organizata jofitimprurëse Public Citizen, më shumë se gjysma e kuletave digjitale të publikuara në listën e pjesëmarrësve për darkën e së dielës janë të lidhura drejtpërdrejt me platforma të këmbimit të kriptovalutave që nuk lejojnë përdoruesit me bazë në SHBA. Kjo, sipas analizës, tregon se ato mund të jenë të lidhura me shtetas të huaj.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reutersit për koment lidhur me darkën.

Megjithatë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, i kishte deklaruar më herët Reutersit se as presidenti dhe as familja e tij nuk janë përfshirë dhe nuk do të përfshihen në konflikte interesi. Ajo kishte shtuar se Trump e ka bërë SHBA-në qendrën botërore të kriptovalutave përmes veprimeve ekzekutive.

Ndërkohë, edhe investimet dhe bizneset e tjera të familjes Trump, të lidhura me kriptovalutat, kanë shënuar rënie të vlerës. Sipas një analize të Reutersit, investitorët e jashtëm në pesë projektet kryesore të familjes Trump, të lidhura me kriptovalutat, kanë humbur së bashku më shumë se pesë miliardë dollarë.

Vetëm monedha meme $TRUMP i ka siguruar familjes Trump të paktën 635 milionë dollarë, sipas deklarimit financiar të presidentit të publikuar në qershor. Në total, deri në prill, familja Trump kishte përfituar të paktën 2.3 miliardë dollarë nga katër bizneset e saj kryesore të lidhura me kriptovalutat.

Ndërkaq, pjesëmarrja e presidentit në një biznes të pestë të lidhur me këtë sektor, Trump Media & Technology Group, vlerësohet në rreth 430 milionë dollarë.