Vojvoda zbulon se ka refuzuar oferta nga Lindja e Mesme: Dua të luaj në nivel të lartë
Mërgim Vojvoda është një nga futbollistët e Kosovës që prej vitesh paraqitet në një nga pesë kampionatet më të forta të Evropës.
Mbrojtësi kosovar, i cili luan në Serie A që nga viti 2020, ka veshur fanellën e Torinos, Comos dhe tashmë të Udineses.
Vojvoda synon të vazhdojë karrierën në elitën e futbollit italian, duke zbuluar se gjatë verës kishte refuzuar oferta nga Lindja e Mesme.
“Më pëlqen të luaj në Itali, niveli është shumë i lartë. Në verë, më kontaktuan nga Lindja e Mesme, por doja të qëndroja në një ligë të nivelit të lartë, dhe ja ku jemi në krye”, ka deklaruar Vojvoda në emisionin “Udinese Tonight” të televizionit “TV 12”.
Reprezentuesi i Kosovës ka folur edhe për vështirësitë e kampionatit italian, duke veçuar aspektin taktik dhe përqendrimin që kërkon Serie A.
“Në ekipin kombëtar, flas me shokët e mi të ekipit që kanë luajtur në Itali, Francë dhe Spanjë, dhe ata thonë se liga italiane është më e vështirë, veçanërisht nga pikëpamja taktike dhe përqendrimi që kërkon. Nuk mund të bësh gabime”, ka shtuar ai.
Vojvoda ka treguar gjithashtu se është përshtatur shpejt me jetën në Itali, duke i kushtuar rëndësi të veçantë mësimit të gjuhës dhe kulturës italiane.
“Sapo mbërrita në Itali, u përpoqa të integrohesha dhe pas disa muajsh jepja intervista në italisht. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Së pari duhet të integrohesh, pastaj të tjerët do të hapin krahët. Të tjerët presin që të jetë e kundërta, por duhet të jesh i pari që mëson gjuhën, kulturën dhe ushqimin”, është shprehur Vojvoda.















