Xi e priti Trumpin në aeroportin e Shenzhenit. Kjo ishte hera e parë që presidenti kinez mirëpriste personalisht në aeroport një lider të huaj që nga marrja e detyrës si president. Ky veprim shihet si një përgjigje ndaj gjestit të Trumpit, i cili e kishte pritur Xi-n në bazën ajrore Joint Base Andrews në shtator, gjatë takimit të tyre të fundit.

Ardhja e Trumpit u bë pas fjalimeve të Xi-t dhe Putinit në prag të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po mbahet në qytetin jugor kinez të Shenzhenit.

Në fjalimin e tij, Xi bëri thirrje për mbështetje të asaj që e quajti “tregti të lirë dhe të hapur”, duke u përpjekur ta paraqesë Kinën si një partnere të qëndrueshme në skenën ndërkombëtare. Kjo deklaratë vjen në kontrast me politikat e administratës amerikane të Trumpit, e cila ka rritur tarifat tregtare dhe ka ndjekur një qasje të ndryshueshme në politikën e jashtme.

Ndërkaq, presidenti rus, Vladimir Putin, kritikoi sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Në aeroportin e Shenzhenit, Xi dhe Trump u përqafuan shkurtimisht dhe shkëmbyen disa fjalë para se të drejtoheshin drejt veturave të tyre zyrtare.

“Kina është një vend i etikës dhe ka traditë të reciprocitetit të mirësjelljes”, citohet të ketë thënë Xi nga agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua.

Ai shtoi se mezi priste të diskutonte me Trumpin për marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së, bashkëpunimin në rajonin e Azi-Paqësorit dhe zhvillimet globale.

Trump, nga ana e tij, deklaroi se çdo takim me Xi-n ka qenë “shumë i këndshëm”, raportoi Xinhua.

Më pas, të dy iu bashkuan Putinit dhe liderëve të tjerë në vendin ku po mbahet samiti i APEC-ut, ku morën pjesë në ceremoninë e përshëndetjeve, fotografinë e përbashkët dhe darkën zyrtare.

Takimi trepalësh pritet të mbahet të enjten, në margjinat e samitit. Në të, tre liderët mund të diskutojnë për luftën e Rusisë në Ukrainë, luftën e SHBA-së në Iran, si dhe çështje të tjera ndërkombëtare, përfshirë tregtinë, inteligjencën artificiale dhe armët bërthamore.

Një zyrtar amerikan dhe zyrtarë të lartë rusë, të cituar nga agjencitë ruse të lajmeve, kanë bërë të ditur se Trump do të zhvillojë gjithashtu një takim të veçantë dypalësh me Putinin.

Megjithatë, zyrtarët rusë kanë theksuar se nuk janë planifikuar negociata të plota dypalëshe mes dy presidentëve.

Agjencia ruse Interfax, duke iu referuar këshilltarit të Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, raportoi se Putini dhe Xi kishin diskutuar për takimin trepalësh. Ndërkaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë të ditur se për takimin mes tre liderëve është paraparë një orë.

Takimi trepalësh ka nxitur krahasime me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku liderët e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik përcaktuan sferat e ndikimit dhe hodhën themelet e rendit botëror pas Luftës së Dytë Botërore.

Ky takim historik është bërë simbol i marrëveshjeve mes fuqive të mëdha, të cilat mund të imponohen edhe në dëm të vendeve më të vogla.

Mundësia e një marrëveshjeje të tillë ka shqetësuar disa kryeqytete evropiane dhe aziatike, të cilat druhen se fuqitë më të mëdha ushtarake të botës mund të marrin vendime pa marrë parasysh interesat e tyre.