Shërbimi Korrektues ka kërkuar nga Gjykata që të bëhet transferimi i të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares, E.R, pasi personat e tjerë brenda qendrës së paraburgimit kanë tentuar ta sulmojnë atë.

Aprovimin e Gjykatës për transferimin e të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares e ka konfirmuar për RTV Dukagjinin, zyrtarja për informim publik në Gjykatën Themlore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Shërbimi Korrektues ka kërkuar nga Gjykata të bëhet transferimi i të akuzuarit, pasi personat e tjerë brenda qendrës së paraburgimit kanë tentuar ta sulmojnë atë. Gjykata ka aprovuar kërkesën për transferim”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, për Portalin Dukagjini ka folur edhe mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Fitim Limani, i cili ka thënë se E.R nuk ka pësuar lëndime, pasi gardianët e burgut kanë qenë të shpejtë në reagimin e tyre.

“Në bazë të informacioneve që i kam si avokat i Ekrem Regjepit, i njëjti është sulmuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë dhe është transferuar në Qendrën e Paraburgimit të Sigurisë së Lartë në Dyz”, ka thënë avokati i E.R, Fitim Limani.

Sulmohet në burg njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares