Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë angazhuar për zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve të spiunazhit, të cilat, sipas tij, kanë rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.
Reagimi i tij vjen pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me gjashtë vjet burgim Jelena Gjukanoviqin për veprimtari spiunazhi.
“Ndërkohë që institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, kërkohet edhe më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat e rënda që këto akte kanë për Republikën tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe “asnjë veprim që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës sonë nuk do të tolerohet”.