Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur angazhimin e Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për hetimin dhe suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të dyshuar për ngacmim seksual, kontrollim të paligjshëm dhe keqpërdorim të pozitës e autoritetit zyrtar.
Sveçla ka thënë se nuk do të lejohet që veprimet e individëve ta njollosin Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e saj që, sipas tij, shërbejnë me profesionalizëm për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit, njofton Dukagjini.
Ai ka theksuar se çdo keqpërdorim i bërë në emër të Policisë së Kosovës dënohet pa kompromis.
“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që asnjë individ të njollosë Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, që me profesionalizëm shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë. Misioni i Policisë së Kosovës është shërbimi ndaj qytetarëve dhe pa asnjë kompromis dënojmë çdo keqpërdorim që bëhet për çfarëdo përfitimi në emër të saj”, ka shkruar Sveçla.