Të jetosh me vitiligo, me mungesën e pigmentit në lëkurë

Faktorët që ndikojnë në paraqitjen e vitiligos nuk janë të sqaruar plotësisht, por përdoren teori në të cilat më së shpeshti supozohet se vitiligo është sëmundje trashëguese autozome dominante

Vitiligo është një çrregullim i krijimit të melaninës, pigmentit të lëkurës, me ç’rast shfaqen njolla të bardha të zbehta në lëkurë, problem me të cilin vuan një përqindje e vogël e njerëzve.

Ky çrregullim shkaktohet nga mungesa e melaninës apo nga zvogëlimi i krijimit të saj.

Sipas dermatologëve, vitiligo mund të prekë çdo zonë të lëkurës, por zakonisht ndodh në fytyrë rreth syve, në mjekërr, qafë, nënsqetulla, duar dhe në regjionin gjenital.

Shfaqet me madhësi dhe trajta të ndryshme me ngjyrë të bardhë si qumështi.

Problemet me besim dhe vetëbesim janë të zakonshme te njerëzit me vitiligo, veçanërisht, nëse gjendja ndikon në zonat e lëkurës së ekspozuar shpesh.

Të njëjtin mendim nuk e ndan edhe H.K nga qyteti i Vushtrrisë, e cila bën pjesë në grupin e njerëzve me vitiligo.

Sipas saj, kjo është një dhunti që atë e bën të ndjehet më speciale, sepse e adhuron trupin e saj kur mbushet me njolla të bardha.

“Përkundër paragjykimeve të njerëzve, për mua vitiligo nuk është ndonjë mangësi e shëndetit fizik. Mua kjo gjë më përmbush akoma më shumë me vetëbesimin dhe nuk ndjehem fare inferiore”, ka thënë ajo për portali Dukagjini.

Pikat e bardha të vitiligos mund të ndikojnë në vetëvlerësimin dhe mirëqënien psikike të personit.

Këtë e ka dëshmuar shumë herë edhe modelja Winnie Harlow, e cila gjendet në këtë grup me vitiligo. Ajo në shumë intervista ka theksuar se problemi i lëkurës nuk është ndonjë problem që shumë të tjerë e diskutojnë.

Përkundrazi, ajo jep mesazhe sensibiluzese pasi edhe vetë është e prekur nga vitiligo, Ajo u ka thënë të tjerëve se “ata që janë me vitiligo janë shumë specialë”.

Winnie Harlow, modelja me Vitiligo

Studime nga psikologë e dermatologë të ndryshëm tregojnë se vitiligo nuk ka ndonjë kurë të caktuar dhe të përhershme, por me anë të trajtimeve afatgjate mund të zbehet që të mos kalojë në të gjitha pjesët e trupit.

Ndërsa, dermatologu nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës(QKUK), Rexhep Morina, për portali Dukagjini ka thënë se vitiligo kategorizohet në kuadrin e sëmundjeve të ashtuquajtura autoimune, sikurse sëmundjet e gjëndrrës tiroide, gjëndrrës mbiveshkore dhe alopecia areata.

Rexhep Morina, dermatolog

Morina ka thënë se kjo sëmundje ka bazë trashëguese gjenetike, me ç’rast procesi i aktivizimit të kodit gjenetik ndodh duke u ngacmuar nga faktorët me të shpeshtë siç janë: stresi akut ose kronik, çrregullimet hormonale, anemia, problemet e tjera shëndetësore, por edhe djegiet nga dielli.

“Pas ngacmimit të kodit gjenetik nga ndonjëri apo disa nga këta faktorë vjen deri te aktivizimi i mekanizmit autoimun, i cili vepron në qelizat të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e pigmentit duke zvogëluar ose ndërprerë punën e tyre”, ka thënë Morina.

Sipas dermatologut, roli i melaninës është në mbrojtjen e lëkurës nga efekti kancerogjen i rrezeve ultravjollce të diellit.

Prandaj siç thotë ai, lëkura me këtë rast nuk ka mbrojtje dhe duhet mënjanuar nga rrezet e diellit, njëkohësisht duhet marrë masa mbrojtëse edhe me krema mbrojtës me faktorë sa më të lartë.

Sa i përket grupmoshave që mund të preken më shumë nga vitiligo, Morina ka thënë se janë nga mosha 10 deri në moshën 30 vjeçare.

Ndërsa sa i përket mënyrës si trajtohet vitiligo, dermatologia Shukrije Advdiu-Feka për portali Dukagjini ka thënë se, ekzistojnë disa metoda, por rezultatet në përgjithësi nuk janë të kënaqshme.

“Metoda më e shpeshtë e trajtimit është PUVAterapia, përdorimi i tabletave psoralen dhe nënshtrimi ndaj rrezeve UVA”, ka thënë ajo.

Sipas saj, vitiligo nuk ka shërim të sigurtë, mirëpo metoda e lartpërmendur ndihmon deri diku.

Ajo ka rekomanduar që personat me vitiligo të kenë kujdes nga dielli pasi pjesët e lëkurës të afektuara janë shumë të ndjeshme ndaj diellit si rezultat i mungesës së melaninës, duke përdorur krema mbrojtëse antisolare.

Ilustrim

Ndërsa për pasojat e vitiligos, dermatologia ka thënë se edhe pse kjo sëmundje nuk rrezikon jetën dhe më tepër konsiderohet sëmundje kozmetike, mund të ketë këto pasoja:

  •  Lëkura e personave me vitiligo është më e rrezikuar nga diegia gjatë ekspozimit në diell.
  •  Personat me vitiligo mund të kenë abnormalitete ose inflamacione në retinën e syrit.
  • Personave me vitiligo kanë më shumë gjasë t’iu shfaqen sëmundje të tjera autoimune si hipotiroidizmi, diabeti, anemia, sëmundja e Addisonit dhe alopecia areata.
  • Vitiligo mund të paraqet problem social për personat e afektuar dhe ata mund të vuajnë nga ankthi dhe depresioni.

Ani pse vitiligo nuk është e rrezikshme, mund të ketë pasoja emocionale dhe psikologjike te disa persona që përballen për herë të parë me depigmentimin e lëkurës.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika