Të jetosh në Kosovën imagjinare të qeverisë

Duke u përpjekur të ndërtojë një vend statistikash, qeveria e ka braktisur realitetin. Qytetarët nuk jetojnë në Kosovën imagjinare të zyrtarëve qeveritarë, por në Kosovën e çmimeve të larta dhe të pasigurisë së vazhdueshme ekonomike. Qytetarët nuk hanë statistika. As nuk jetojnë më mirë vetëm pse qeveria thotë kështu.

 

Imer Mushkolaj

 

Ka një hendek të frikshëm mes jetës së përditshme të qytetarëve dhe versionit të jetës që “shet” qeveria. Ky hendek nuk është thjesht ekonomik – është psikologjik, moral dhe politik. Sepse prej tre vjetësh, çdo rritje çmimi, çdo faturë, çdo shportë ushqimore që varfërohet nga java në javë, shoqërohet me fraza të llojit “qytetarët kurrë nuk kanë jetuar më mirë”, që vjen nga njerëz të qeverisë. Nëse e dëgjon me kujdes, kjo frazë ngjan si kërcënim, jo si konstatim. Ndërkaq për shumicën e familjeve, veçanërisht ato me të ardhura nën mesataren, kjo frazë tingëllon si tallje. Realiteti në terren shfaq një krejt tjetër pasqyrë: çmimet e ushqimeve bazë janë rritur, qiratë, sidomos në Prishtinë, janë bërë të papërballueshme, faturat e energjisë janë rritur ndjeshëm, kurse inflacioni që gërryen çdo muaj buxhetin e familjeve nuk është dukuri teorike, por një vjedhje e heshtur, një tatim i padukshëm.

Megjithatë në universin paralel të ministrit në detyrë Hekuran Murati, gjërat shfaqen si të rregulluara me laps: rrogat mesatare dalin më të larta, konsumi më i madh, standardi “në rritje”. Është një shtet imagjinar i ndërtuar me statistika, me formula që e bëjnë jetën të duket më e lehtë sesa është. Aty qytetarët jetojnë bukur, blejnë më shumë, udhëtojnë më shpesh dhe kursimet u shtohen. Vetëm se ai vend imagjinar nuk ka as lagje, as fshatra, as tregje. Nuk ka qiraxhinj, pensionistë, familje që jetojnë me një pagë. Nuk ka bile as qytetarë realë – ka vetëm tabela të excelit.

Në këtë realitet imagjinar funksionon qeveria. Në realitetin tjetër, ai i të vërtetës, blerja në supermarket të jep ankth. Qumështi, buka, vaji, orizi, detergjentët – gjithçka është shtrenjtuar. Por, për ironi, gjithmonë kur rritet një çmim, shfaqet një zë zyrtar që thotë se inflacioni është “në kontroll”. Në fakt, në kontroll është rrëfimi, jo situata.

 

* * *

 

Ky kontrast mes statistikave dhe realitetit është bërë mënyra se si qeveria e trajton varfërinë: jo duke i dhënë zgjidhje në realitet, por duke e rregulluar në letra. S’mund t’i ulësh çmimet? Rrit mesataren në statistika. S’mund t’i rritësh pagat? Lëre koston e jetesës jashtë llogaritjes. S’mund ta përballosh kërkesën e qytetarëve për ndihmë? Thuaju se po jetojnë më mirë se kurrë më parë.

Qeveria flet me gjuhën e tabelave, kurse njerëzit me gjuhën e frikës së përditshme: frikë se nuk do t’u dalin paratë deri në fund të muajit, frikë se fëmijëve do t’u mungojnë gjërat bazike, frikë se një faturë e papritur mjekësore apo energjie do t’i rrëzojë përfundimisht.

Është absurditet i pastër që një ministër financash t’u thotë njerëzve se po jetojnë më mirë, në një kohë kur ata po mbyten nga kreditë e konsumi, nga borxhet, nga produktet e shtrenjta dhe nga mungesa e perspektivës. Një qeveri serioze do t’i shihte këto simptoma si alarm. Kjo qeveri i sheh si problem komunikimi.

Në një vend normal, statistikat shfrytëzohen për të kuptuar realitetin. Në Kosovë sot statistikat përdoren për ta mohuar atë. Është një strategji politike e vjetër: kur realiteti nuk është në anën tënde, ndërto një realitet të ri. Sulmo kritikun që ta kujton të vërtetën, pastaj thuaj se opozita po shpik krizë, se mediat po e ekzagjerojnë, se qytetarët s’po e kuptojnë metodologjinë.

Vetëm se qytetarët nuk jetojnë me metodologji. Ata nuk paguajnë me indikatorë, as nuk ushqehen me mesatare. Ata paguajnë me para të vërteta, nëpër tregje të vërteta, për një jetë gjithnjë e më të shtrenjtë. Ky është problemi thelbësor i qeverisë: duke u përpjekur të ndërtojë një vend statistikash, e ka braktisur vendin real. Një ditë do të duhet të zbresë prej aty lart, e të shohë se qytetarët nuk jetojnë në Kosovën që ajo imagjinon. Jetojnë në Kosovën e çmimeve të larta, të frikës ekonomike dhe të pasigurisë së vazhdueshme. Ky vend ka nevojë për politika reale, jo për narativa triumfaliste. Deri atëherë, ministri Murati mund të vazhdojë të flasë për mirëqenie. Por qytetarët nuk hanë statistika. As nuk ngrohen me to. As nuk jetojnë më mirë vetëm pse qeveria thotë kështu.

Të fundit nga rubrika