Të shtunën e 10 dhjetorit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të pres në takim  partitë politike të Kosovës, me të cilat do të konsultohet për zgjedhjet komunale të cilat do të mbahen në veri të vendit.

Bëhet fjalë për zgjedhjet komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveça.

Siç njofton Zyra e Presidences së Kosovës, takimi pritet të fillojë nga ora 14:30.

Në njoftimin e ZPRK-së thuhet se mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit.

Ndryshe, Osmani të enjten e 8 dhjetorit në një prononcim për media kishte bërë tëë ditur se caktimi i datës së zgjedhjeve në këto katër komuna do të bëhet brenda dy apo tre ditësh.

Osmani kishte thënë se së pari pritet raporti i institucioneve të sigurisë për situatën në veri, më pas propozimi nga Komisioni Qendror Zgjedhor shkon në Presidencë, dhe kishte theksuar se pas kësaj Presidenca duhet të konsultojë partitë politike dhe të arrijë konsensus me këto të fundit.

Ndër të tjera, Osmani ka bërë të ditur se pa konsensusin e të gjitha partive politike nuk mund të caktohet një vendim për zgjedhjet, gjersa ka bërë të ditur se patjetër duhet të ketë konsensus të plotë, pasi aty përfshihen të gjitha partitë.

“Tani unë po ju njoftoj se si është procedura, si rregull ekzistojnë kritere të caktuara, të cilat janë caktuar nga Komisioni i Venecias për çështjen e shtytjes së zgjedhjeve. Në rastet kur ligji shprehimisht nuk e parasheh të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve, siç është rasti i Kosovës, atëherë e para që duhet të bëhet në këtë rast është vlerësimi nga institucionet e sigurisë në Kosovë. Ky vlerësim duhet të trajtohet në KQZ dhe në KQZ duhet të ketë një pajtim për të propozuar një gjë të tillë, në qoftë se ata e vlerësojnë si të nevojshme.  Pastaj, ai propozim vjen në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias kërkon që Presidenca patjetër të konsultojë partitë politike dhe në rastet kur shprehimisht nuk përcaktohet me ligj një e drejtë e tillë, atëherë duhet që në këto konsultime me partitë politike të ketë një lloj konsensusi. Pra, nuk mundësh në qoftë se shumica dërmuese e partive nuk janë pro, që të merret vendim kokë në vete, siç ka ndodhur në të kaluarën, sepse do të ishte në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për shtyerjen e zgjedhjeve”, ka sqaruar Osmani.

Osmani: Vendimi për zgjedhjet në veri çështje ditësh