Të turpërohesh nga vendi yt

Presidentja flet rrallë për potencialin turistik të Kosovës, kurse kryeministri nuk i promovon asnjëherë bukuritë e vendit. Njësoj ministrat, të cilët shëtisin botën, por nuk sjellin askënd ta vizitojë vendin e tyre. Pse këta njerëz kanë turp të promovojnë Kosovën turistike?

Imer Mushkolaj

Një kryeministër që ndan çdo mëngjes pamje të Shqipërisë nga ajri, një qeveri që fton botën ta vizitojë vendin. Shqipëria ka vendosur ta shesë veten si destinacion. Edi Rama mund të kritikohet për shumëçka, por askush nuk mund t’i mohojë faktin se e promovon Shqipërinë çdo ditë, në çdo formë të mundshme, me çdo rast të mundshëm. Ai e ka kuptuar që turizmi nuk rritet me spote të shtrenjta, por me ndjenja, me përfshirje personale, me entuziazëm që e sheh çdo qytetar vendës e çdo i huaj.

E tash, të kthehemi në Kosovë. Sa herë e keni parë presidenten Vjosa Osmanin duke promovuar ndonjë atraksion turistik të Kosovës? Rrallë. A ka bërë ndonjëherë kryeministri Albin Kurti ndonjë postim për bukuritë e Rugovës, për liqenet e Sharrit, për trashëgiminë historike të Prizrenit apo peizazhet mahnitëse të Karadakut? Përgjigjja është e thjeshtë: jo. Madje as ministrat përgjegjës për turizëm nuk bëjnë përpjekje serioze që t’i tregojnë botës se Kosova ekziston edhe si vend për pushim, jo vetëm si temë për negociata.

Kjo mospërfshirje e udhëheqësve në promovimin e turizmit nuk është vetëm neglizhencë. Është mendësi. Në mendjen e shumë politikanëve të Kosovës, turizmi ende shihet si diçka periferike, si një “luks” që ndodh diku tjetër. Ndërkohë, vendet më të zhvilluara, përfshirë edhe Shqipërinë, e shohin turizmin si motor të fuqishëm të ekonomisë. Dhe kanë të drejtë.

Kosova ka plot vende që mund të bëhen kartolina për turistët: Peja me Grykën e Rugovës të lë pa frymë, Prizreni me historinë, arkitekturën dhe festivalet, Brezovica… Kosova ka kalatë, ka male, liqene, gastronomi të pasur, ka mikpritje që nuk blihet me para. Por, asnjë nga këto nuk shitet në mënyrë të organizuar dhe të qëndrueshme.

Në vend të kësaj çdo vit shteti ndan disa para për ndonjë panair në ndonjë qytet të Europës, shtyp ndonjë broshurë të mërzitshme dhe pastaj e quan këtë “strategji turizmi”. Ndërkohë, vizitorët që vijnë në Kosovë ndalen këtu kryesisht rastësisht Ata që mbesin të mahnitur nga vendi nuk i kanë borxh falënderime shtetit, por njerëzve që i presin me dashuri, natyrës që flet vetë dhe ndonjë iniciative individuale që promovon Kosovën në rrjete sociale.

Aktualisht festivali “Sunny Hill” për disa ditë e bën Kosovën epiqendër të vëmendjes ndërkombëtare. Me yje botërorë që performojnë në Prishtinë, me qindra turistë që vijnë nga jashtë, me hotele e kafene të mbushura, ky është shembulli më i mirë se çfarë do të thotë ta vendosësh vendin në hartën kulturore dhe turistike të botës. Por, ky sukses nuk është produkt i ndonjë strategjie shtetërore, por i angazhimit të një familjeje të vetme. Kurse shteti, në vend që ta mbështesë me vizion, shpesh sillet indiferent, për të mos thënë i ftohtë.

* * *

Dallimi me Shqipërinë është i thellë. Edi Rama e ka bërë promovimin e turizmit kauzë kombëtare. Ai ka vendosur që Shqipëria të jetë në radarët e botës. Dhe ia ka dalë.

Kosova, në anën tjetër, sillet sikur nuk ka asgjë për të treguar. Presidentja udhëton gjithandej, por nuk sjell turistë. Kryeministri flet për luftë, ndërkohë që nuk fton askënd të zbulojë bukuritë e vendit. Ministrat shëtisin botën, por nuk sjellin askënd në vendin e tyre.

A mund të ndryshojë kjo situatë? Po. Por duhet vullnet. Duhet që udhëheqësit ta kuptojnë se turizmi nuk është vetëm punë e operatorëve turistikë. Është imazh i shtetit. Është ekonomi. Është diplomaci. Është krenari. Është mënyra më e mirë për ta treguar veten përtej lajmeve për bllokada politike, përplasje verbale e konflikte ndërpartiake.

Kosova ka nevojë për një narrativë të re, jo vetëm për t’u ndjerë më mirë me veten, por për të fituar vendin që meriton në hartën turistike të Ballkanit. Dhe kjo fillon nga krerët e shtetit. Ata nuk duhet të kenë frikë ta “shesin” vendin si të bukur. Sepse është. Mjafton të mos vazhdojnë të heshtin sikur nuk e kanë parë kurrë. Nëse nuk e promovon vetë vendin tënd, mos prit që ta bëjnë të tjerët.

Të fundit nga rubrika