Të vdesësh për faj të shtetit

Për çdo punëtor që vdes në vendin e punës ka një pronar që vazhdon punën, si të mos ketë ndodhur asgjë. Ka një investitor që mendon për afate, jo për jetë. Ka një sistem që nuk i frikësohet ligjit. Ka një shoqëri që mësohet me këtë cikël: punë – rrezik – vdekje – harresë.

Imer Mushkolaj

Në një ditë, në Gjakovë vdiqën dy punëtorë ndërtimi. Dy të tjerë po ashtu u bënë viktima të punës së rëndë në ndërtimtari. Katër vdekje për dy ditë. Ky nuk është fillimi i një tregimi, por fundi i jetës për dy njerëz që dolën nga shtëpia për të fituar bukën e gojës dhe u kthyen në arkivole.

Punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë nuk janë vetëm ndër më të nëpërkëmburit, por edhe ndër më të rrezikuarit. Skelet u janë bërë si litari në fyt. Themel pas themeli, ndërtesë pas ndërtese, ata ndërtojnë këtë vend, ndërsa shteti “shemb” mbi ta çdo përgjegjësi. Në Gjakovë nuk vdiqën vetëm dy punëtorë në një ditë – vdiq edhe një pjesë tjetër e ndërgjegjes sonë, për aq sa ka mbetur prej saj.

Ndërtimtaria është një prej sektorëve më të fuqishëm financiarisht. Miliona qarkullojnë për çdo ndërtesë të re, që ngrihen si kërpudhat pas shiut. Por, sa investohet në jetën e atyre që e bëjnë këtë punë të mundimshme? Pak, shumë pak. Zero sigurime. Zero përgjegjësi. Vetëm skele të rrezikshme dhe punëtorë që punojnë nga agimi në perëndim për një rrogë solide.

Nuk është hera e parë që ndërtimi ua merr jetën punëtorëve. Të tilla vdekje janë kthyer në një normalitet të kobshëm. Nga janari i këtij viti janë raportuar tetë vdekje dhe 268 aksidente në vendin e punës, shumica në industrinë e ndërtimit.

Ato thuajse nuk tronditin më askënd. Edhe kur publikohen lajme, ato janë zyrtare: “ka ndodhur një aksident”. Askush nuk i quan me emër të vërtetë: neglizhencë, papërgjegjësi, vrasje nëpërmjet heshtjes.

Në shtete normale një aksident në vendin e punës është alarm shtetëror. Në Kosovë gjithçka përmblidhet në një deklaratë “të ftohtë” policore: “Dy persona kanë humbur jetën aksidentalisht në një vendpunishte”. Kaq. Një fjali. Pastaj heshtje.

Inspektorati i Punës është një makineri e ndryshkur. Mungojnë inspektorë, mungojnë kontrolle, mungon vullneti politik. Kompanitë ndërtimore janë më të forta se ligji. Kur ndodh tragjedia, gjithçka relativizohet: “ishte fatkeqësi”, “nuk ishin të pajisur me helmetë”, “nuk ishin të regjistruar”. Dhe, si zakonisht, fajtor del të jetë viktima.

Ky shtet, i cili e quan veten “në tranzicion” ka zgjedhur të mos i shohë punëtorët. Të mos i dëgjojë. Të mos i mbrojë. Jetët e tyre janë statistika në fund të vitit, ose numra që ngjiten në mure për ditën ndërkombëtare të punëtorëve. Por, në realitet, ata janë “mish për beton”.

Ku është qeveria? Ku është ministria përkatëse? Ku janë kontrollet, masat emergjente, ndëshkimi i kompanive? A ka kush përgjigjet, apo duhet pritur viktimat e radhës?

* * *

Në Kosovë vdekja në vendin e punës ka filluar të perceptohet si rrezik i “natyrshëm”, siç është ndotja e ajrit apo mungesa e ujit. Pra, e pranojmë si pjesë të jetës dhe kjo është më e frikshme se vetë tragjedia. Kur punëtori bie nga kati i pestë, ai nuk bie vetëm për shkak të mungesës së një rrethoje. Ai bie sepse shteti nuk ishte aty. Sepse nuk pati inspektim. Sepse u kursyen dy helmeta dhe një rrjet sigurie – në emër të fitimit.

Ndërkaq, askush nuk mendon për familjet që mbesin pas. Gra pa burra, fëmijë pa prindër, prindër pa fëmijë. Asnjë kompani nuk merr përgjegjësi, asnjë ministër nuk shkon në shtëpinë e viktimës. Askush nuk i pyet: “Si po ia dilni pa të?”

Për çdo punëtor që vdes ka një pronar që vazhdon punën, si të mos ketë ndodhur asgjë. Ka një investitor që mendon për afatet, jo për jetën. Ka një sistem që nuk ka frikë nga ligji, sepse ligji nuk zbatohet. Dhe, mbi të gjitha, ka një shoqëri që mësohet me këtë cikël: punë – rrezik – vdekje – harresë. Nëse ky shtet nuk reagon për jetën e punëtorëve, atëherë për çfarë shteti bëhet fjalë? Për çfarë zhvillimi, për çfarë drejtësie, për çfarë progresi? Sepse një shtet që rritet mbi gjakun e punëtorëve nuk ndërtohet, por varroset.

Të fundit nga rubrika