Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar paraardhësin e tij, Joe Biden, se ka dëmtuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me vendime që ai i quan “shumë budallaqe”.

Në një reagim në rrjetin e tij social Truth Social, ku fillimisht komentoi mbi konfliktin Izrael-Iran, Trump ka përmendur edhe Kosovën, duke theksuar rolin e tij në parandalimin e një lufte të mundshme në Ballkan.

Ai ka shtuar se ish-presidenti Biden, ka dëmtuar perspektivat afatgjata për paqen mes dy vendeve, por premton se do ta “rregullojë përsëri”.

“Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përplaseshin ashpër, ashtu siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova. (Biden i ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe, por unë do ta rregulloj përsëri!)”, ka shkruar Trump.