Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi të premten një takim me këshilltarët e tij më të lartë për të marrë një “vendim përfundimtar” lidhur me një kornizë për zgjatjen e armëpushimit me Iranin, por takimi përfundoi pa qartësi për hapat e ardhshëm.
Ai tha se Irani duhet të pajtohet që të mos zotërojë kurrë armë apo bombë bërthamore, që Ngushtica e Hormuzit të rihapet për “qarkullim të pakufizuar detar në të dy drejtimet” dhe që çdo minë e vendosur në këtë rrugë ujore të shkatërrohet, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Takimi u mbajt në Dhomën e Situatave (Situation Room) në Shtëpinë e Bardhë, e cila përdoret për menaxhimin e krizave të mëdha. Më herët, Irani deklaroi se nuk është duke negociuar për programin e tij bërthamor, për të cilin këmbëngul se ka vetëm qëllime civile.
Të enjten, sipas zyrtarëve amerikanë, të dy vendet kishin rënë dakord për një kornizë marrëveshjeje – të njohur si memorandum mirëkuptimi – në pritje të miratimit nga Trump dhe udhëheqja iraniane.
Marrëveshja thuhet se do të zgjaste armëpushimin për 60 ditë dhe do të hapte bisedime për të ardhmen e programit bërthamor të Iranit.
“Presidenti Trump do të bëjë vetëm një marrëveshje që është e mirë për Amerikën dhe që respekton vijat e tij të kuqe. Irani nuk mund të zotërojë kurrë një armë bërthamore”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CBS News, partnerin amerikan të BBC-së.
Trump mban takim për “vendimin final” mbi marrëveshjen me Iran