Ukraina mund të nisë përdorimin e raketave të saj të para balistike të zhvilluara në vend për sulme ndaj objektivave në territorin rus, përfshirë Moskën, që në vjeshtën e këtij viti. Kështu ka deklaruar Denys Shtilerman, pronar dhe projektues kryesor i kompanisë ukrainase të mbrojtjes Fire Point, raporton Kyiv Post përcjell Dukagjini.
Në një intervistë të publikuar më 27 korrik, Shtilerman tha se kompania ndodhet në fazën përfundimtare të testimit të sistemit të ri raketor. Sipas tij, pas përfundimit të provave teknike, raketat do të jenë të gatshme për përdorim operativ.
Ai theksoi se objektivat e sulmeve do të përcaktohen nga ushtria ukrainase, por shtoi se ka gjasa që ato të jenë objektiva strategjike brenda Rusisë.
Shtilerman sqaroi se afati i vendosjes në përdorim varet nga rezultatet e testimeve të fundit të motorit të raketës, duke shtuar se kompania po ecën me ritëm të shpejtë drejt përfundimit të projektit.
Fire Point po përgatitet paralelisht edhe për prodhim serik. Fillimisht planifikohet të prodhohen 10 deri në 20 raketa për testime, ndërsa pas miratimit zyrtar të sistemit, prodhimi mund të rritet në dhjetëra njësi.
Kompania është një nga prodhuesit kryesorë të industrisë së mbrojtjes në Ukrainë dhe tashmë prodhon dronët sulmues me rreze të gjatë FP-1 dhe raketat lundruese FP-5 Flamingo. Në vitin 2025 ajo prezantoi projektet e raketave balistike FP-7 dhe FP-9.
Sipas të dhënave të publikuara, raketa FP-7 ka një rreze veprimi prej rreth 250–300 kilometrash, ndërsa modeli FP-9 pritet të arrijë objektiva deri në 850 kilometra larg.
Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte deklaruar më herët se vendi po i afrohej përfundimit të zhvillimit të raketës së parë balistike vendore, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës. Paralelisht, Kievi po zhvillon edhe sistemin balistik Sapsan (Hrim-2), me rreze veprimi deri në 500 kilometra, për të cilin autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se ka hyrë në fazën e prodhimit serik.