Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e një foshnje të porsalindur në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokurori i Shtetit është informuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj për rastin e rëndë, ndërsa menjëherë janë ndërmarrë veprimet procedurale.
“Me vendim të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Vrasja e foshnjës gjatë lindjes’ nga neni 176 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje bëhet e ditur se e dyshuara në këtë rast aktualisht ndodhet në trajtim në spitalin Gjinekologjik të Ferizajt.
Ndërkohë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e gjitha rrethanave të rastit në fjalë”, thuhet më tej në komunikatë.
Rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente.
Foshnja vdes pak pas lindjes në tualetin e Emergjencës në Ferizaj