Me një minut heshtje ka filluar seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë. Kjo për shkak të vdekjes së avokatit Andrew Strong.

Avokati Ben Emmerson pati fjalë të mëdha për të, duke thënë se kishin qenë miq të ngushtë për 25 vjet.

Emmerson u shpreh se avokati Strong u angazhua edhe për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

“Mbase nuk jeni të gjithë të qartë, por mund të mos jetë e dukshme, por ai dhe të gjithë në ekipin e tij nuk jemi thjesht kolegë. Kemi qenë miq të ngushtë për 25 vjet. Strong është rritur në periferi të Chicagos, ndoqi studimet në Vermont dhe fakultetin juridik, shkoi në Kosovë si student juridiku në fund të vitit 2004. Ishte vullnetar si stazhier me ekipin e mbrojtjes së Ramush Haradinajt ditën që Haradinaj u arrestua më 2005. Jetoi në Kosovë për disa vite, u njoh me personat në Kosovë jashtëzakonisht shumë. Fliste shqip. Dhe ishte një person shumë i angazhuar për të ndihmuar një Kosovë të pavarur dhe të lirë. Ishte një njeri me shpirt të mirë, plot dije, miku më i ngushtë që mund të ketë një person në këtë jetë”, tha ai.

Avokati Emmerson tutje bëri kërkesë që bashkëshortja e avokatit Strong të ketë mundësi të takohet me ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Sipas tij, kjo është kërkesë e vetë familjarëve të avokatit.

“Shumë persona e duan dhe shumë e respektojnë, qoftë komuniteti ndërkombëtar. Shumë persona e duan në shtetin e tij të lindjes dhe shumë persona në Kosovë. Ka lënë pas partneren dhe tre fëmijë të mitur. Kanë kërkesën e posaçme të takohen me z. Veseli, në mënyrë që t’i përcjellë ngushëllimet e tij për Strong”, ka thënë Emmerson.

Anulohen të gjitha seancat e Speciales për këtë vit