Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje që Kosova të ketë institucione plotësisht funksionale sa më shpejt, duke theksuar se stabiliteti institucional është thelbësor për reformat dhe përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, von der Leyen tha se Kuvendi dhe Qeveria tashmë janë themeluar, ndërsa hapi i radhës është zgjedhja e presidentit.
Ajo vlerësoi se dialogu mes partive politike është i mundur dhe u bëri thirrje institucioneve dhe subjekteve politike që të vazhdojnë në këtë drejtim.
“Kuvendi dhe Qeveria janë themeluar, kjo është mirë, hapi i radhës është zgjedhja e presidentit dhe së fundmi po vërejmë se dialogu mes partive politike është i mundur. Ju duhet të vazhdoni në këtë drejtim, sepse stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje, i reformave dhe përparimit drejt BE-së”, tha von der Leyen.
Ajo foli edhe për mbështetjen financiare të BE-së për Kosovën përmes Planit të Rritjes, duke theksuar se vendi mund të përfitojë mbi 882 milionë euro.
Von der Leyen i bëri thirrje Kosovës që të përshpejtojë reformat dhe të shfrytëzojë mundësitë që ofron Plani i Rritjes.
Ajo theksoi se perspektiva evropiane e Kosovës duhet të shoqërohet me hapa konkretë drejt anëtarësimit në BE.
“Unë besoj në të ardhmen e Kosovës në BE dhe e di se sa thellësisht ndjehen evropianë populli i Kosovës. Detyra jonë është që ta shndërrojmë këtë aspiratë në progres konkret drejt anëtarësimit”, tha von der Leyen.
Von der Leyen për aktgjykimin në Hagë: Ka të bëjë me përgjegjësinë individuale