Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e dyfishtë që ndodhi të enjten në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku një person dyshohet se vrau bashkëshorten dhe vëllain e saj, ndërsa plagosi edhe një familjar të viktimave.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, janë bastisur shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar armë pa leje, njofton Dukagjini.
I plagosuri, djali i axhës së viktimave, po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërkohë, i dyshuari ndodhet në mbajtje, kurse trupat e pajetë të dy viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka qëlluar me armë zjarri tre viktimat, një femër-bashkëshorten e tij, një mashkull- vëllai i bashkëshortes dhe viktimën tjetër mashkull-djali i axhës së bashkëshortes. Si pasojë, dy viktimat e para kanë ndërruar jetë, ndërsa i treti ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në Spitalin e Gjilanit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore që i kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Në dy vende të ngjarjes janë sekuestruar katër fishekë, njëzetenjë gëzhoja dhe pesë predha si dhe brenda veturës së të dyshuarit është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vepra për të cilën i dyshuari kishte leje të skaduar. Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike. Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa dy trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin policor.