Vuçeviq për “reduktimin” e numrit të ushtarëve: Çangazhim, jo tërheqje e ushtrisë

Ministri i Mbrotjes, Millosh Vuçeviq, i ka mohuar akuzat se Serbia po përgatitej të bënte diçka duke "mbledhur njësi" dhe se po trajnonte grupin që ka marrë pjesë në konfliktin në Banjskë, në veri të Kosovës

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka thënë më 4 tetor se reduktimi i numrit të ushtarëve “përgjatë vijës administrative” me Kosovën, nga 8 mijë e 350 në më pak se 4 mijë e 500, do të thotë “çangazhim, jo tërheqje e një pjese të njësive”.

“Ata po kthehen në garnizonet e tyre, në kazermat e tyre, në aktivitetet e tyre të rregullta,” ka thënë Vuçeviq për Televizioni Prva.

Ai ka thënë se ushtria serbe dhe Ministria e Mbrojtjes, së bashku me inteligjencën ushtarake dhe Agjencinë e Sigurisë Ushtarake, janë duke monitoruar gjithçka që po ndodh në Kosovë.

Vuçeviq i ka mohuar akuzat se Serbia po përgatitej të bënte diçka duke “mbledhur njësi” dhe se po trajnonte grupin që ka marrë pjesë në konfliktin në Banjskë, në veri të Kosovës, shkruan REL.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Serbisë, më 29 shtator, që t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën.

Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka “filluar tërheqjen” e forcave të saj nga kufiri me Kosovën dhe se ky është “lajm i mirë”.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, ka thënë se diçka e tillë “do të ndihmojë në uljen e tensioneve, por jo në eliminimin e tyre”.

Vendosja e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën ka nisur pas sulmit të një grupi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator.

Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë.

Të njëjtën ditë, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Radoiçiq është marrë në paraburgim për 48 orë nga autoritetet në Serbi, më 3 tetor.

Por, një ditë pas, ai u lirua nga mbajtja nga Gjykata në Beograd.

Lirohet Radoiçiqi, i ndalohet hyrja në Kosovë

Shija e redaktorit

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Të fundit nga rubrika