Aleksandar Marton, zëdhënës i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV), ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se po e shndërron ushtrinë në instrument të propagandës politike dhe se po e përdor atë për të mbrojtur “strukturat kriminale” të pushtetit.
Reagimi i Martonit erdhi pas ceremonisë së promovimit të oficerëve më të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë, ku u interpretua kënga “Ne të duam, atdheu ynë”.
Sipas tij, zgjedhja e kësaj kënge nuk ishte rastësi, por një përpjekje e pushtetit për të rikthyer simbolikën dhe narrativën politike të regjimit të viteve ’90.
“Vuçiq po poshtëron dhe keqpërdor ushtrinë për të ‘ruajtur strukturat kriminale'”, deklaroi Marton raporton Nova.rs përcjell Dukagjini.
Ai theksoi se është veçanërisht shqetësuese që në një ceremoni shtetërore ushtarake promovohet një këngë që, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me periudhën e konfliktit të vitit 1999, me politikat e Sllobodan Millosheviqit dhe me fushatën e spastrimit etnik në Kosovë.
“Sipas tij, është veçanërisht problematike që kjo është një këngë që është kujtuar si një nga simbolet e konfliktit me NATO-n dhe Perëndimin në vitin 1999, por edhe si simbol i politikës së Sllobodan Millosheviqit dhe pastrimit etnik të Kosovës.”
Marton akuzoi autoritetet serbe se, në vend që ta drejtojnë vendin drejt integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal, po ringjallin simbole dhe narrativa që lidhen me një nga periudhat më të errëta të historisë së Serbisë.
“Në vend që të kthehen drejt së ardhmes, vlerave evropiane dhe bashkëpunimit rajonal, autoritetet kriminale po kërkojnë përsëri simbolet e një kohe tragjike, pasojat e së cilës qytetarët e Serbisë i kanë paguar shtrenjtë”, tha Marton.