Zelensky: Ukraina nuk duhet fajësuar për raketën në Poloni

Komentet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, kundërshtuan ato të Polonisë dhe NATO-s, të cilat thanë se shpërthimi ishte shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase e lëshuar për të penguar një shpërthim rus

Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës





Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ai nuk kishte “asnjë dyshim” që Ukraina nuk ishte fajtore për sulmin raketor që vrau dy persona në Poloni të martën.

Zelensky ka thënë se kishte marrë garanci nga komandantët e tij të lartë se nuk ishte raketa e tyre. Po ashtu, ai bëri thirrje që zyrtarët ukrainas të lejohen të hyjnë në vendin e shpërthimit dhe të jenë pjesë e hetimit.

Komentet e tij erdhën pasi shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se raketat e mbrojtjes ajrore të Kievit ishin “më me shumë gjasa” për t’i fajësuar.

Presidenti amerikan Joe Biden hodhi gjithashtu dyshime mbi deklaratën e Zelensky se raketa nuk ishte me origjinë ukrainase, duke u thënë gazetarëve “kjo nuk është provë”.

Shpërthimi i raketës ndodhi në një fermë në Przewodow, vetëm 6 kilometra (4 milje) nga kufiri i Polonisë me Ukrainën.

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës u aktivizuan të martën kur Rusia nisi atë që besohet të jetë vala e saj më e madhe e sulmeve raketore që nga pushtimi i saj në shkurt.

Sulmi, i cili ndodhi gjatë samitit të G20 në Indonezi, shkaktoi një protestë ndërkombëtare, ndërsa lajmet për një shpërthim rakete brenda territorit të Polonisë anëtare të NATO-s ngritën frikën për një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës.

Por, presidenti polak, Andrzej Duda ka thënë se ishte “shumë e mundshme” që raketa të ishte lëshuar nga mbrojtja kundërajrore e Ukrainës.

“Nga informacionet që kemi ne dhe aleatët tanë, ishte një raketë S-300 e prodhuar në Bashkimin Sovjetik, një raketë e vjetër dhe nuk ka asnjë provë që është lëshuar nga pala ruse”, ka thënë ai.

Stoltenberg ka thënë se ishte dakord me vlerësimin e Polonisë se incidenti ndoshta ishte shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.

“Por mesazhi kryesor është se Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare, sepse kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Rusia nuk do të kishte zhvilluar një luftë brutale agresioni kundër Ukrainës,” është shprehur ai, raporton BBC.

Ai ka shtuar se NATO ishte zotuar të furnizojë një “sistem më të avancuar të mbrojtjes ajrore” për Ukrainën, e cila nuk është anëtare e aleancës, por merr ndihmë të gjerë ushtarake.

Dhe Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e SHBA në OKB, ka thënë se Rusia mbante përgjegjësinë përfundimtare për incidentin.

“Ndërsa ne ende nuk i dimë të gjitha faktet, ne dimë një gjë – kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur kurrë, por për pushtimin e panevojshëm të Rusisë në Ukrainë dhe sulmet e fundit me raketa kundër infrastrukturës civile të Ukrainës. Karta e OKB-së është e qartë. Ukraina ka çdo të drejtë për të mbrojtur veten kundër kësaj breshërie”, ka deklaruar ajo në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndërkaq, gjenerali i lartë amerikan ka paralajmëruar se një fitore e hershme ushtarake për Ukrainën mbetet e pamundur, pavarësisht nga një seri kundërofensive të suksesshme ukrainase në lindje dhe jug.

Javën e kaluar, Ukraina ka rimarrë Kherson, i vetmi qytet i madh që ra në duart e Rusisë qëkur filloi pushtimin e saj në shkurt. Dhe në lindje, një ofensivë ukrainase e nisur në shtator ka parë forcat e Kievit të avancojnë në Donestsk dhe Luhansk.

Gjenerali Milley, i cili shërben si këshilltari më i lartë ushtarak i Presidentit Biden, ka thënë se përfitimet e Ukrainës e kishin lënë Rusinë “mbi kurrizin e saj” dhe vuri re se humbjet e saj mund të bëjnë që Moska të pajtohet me një lloj tërheqjeje politike.

Duke folur me të pranishmit në samitin e G20 në Bali në fillim të kësaj jave, Zelensky paraqiti një plan paqeje prej 10 pikash që përfshin garancitë e sigurisë bërthamore, tërheqjen e trupave ruse nga territori i Ukrainës dhe dëmshpërblimet e drejtësinë për “agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”.

Por, ministri i Jashtëm i Moskës, Sergei Lavrov, ka thënë se kërkesat e Kievit ishin “joreale dhe joadekuate”. Ai ka shtuar se Ukraina “refuzon kategorikisht” negociatat me Rusinë.

Diku tjetër, rajoni lindor i Donetskut ka parë luftime të ashpra ditët e fundit, sipas këshilltarit presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych.

Ai ka thënë se trupat ruse nga rajoni Kherson tani ishin “ridrejtuar” drejt Donetsk dhe Luhansk.





Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika