Analisti politik, Adrian Zeqiri, ka komentuar situatën e krijuar rreth pamundësisë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duke thënë se vendimi i ardhshëm i Gjykatës duhet të jetë i qartë dhe pa hapësirë për keqinterpretime.

Me pjesëmarrjen e ambasadorëve, nesër përpjekja e fundit për konstituim para afatit kushtetues

Duke folur në FIVE të Dukagjinit, Zeqiri ka thënë se problemi nuk qëndron vetëm tek shtyrja e afatit apo masa e përkohshme – siç ka kërkuar presidentja Vjosa Osmani nga Kushtetuesja – por tek mungesa e dispozitave të qarta kushtetuese për të dalë nga kjo situatë.

“Nuk besoj që do të merret ndonjë vendim për shtyrje ose masë e përkohshme. Esenca është përtej kësaj, çfarë vendimi do të merr Gjykata, mbi atë situatën ekzistuese. Se referimi i presidentes nuk ta bëjë vetëm me masën e përkohshme por edhe çka tutje pas 30-ditëshit. Këtu është kyçi i krejt problemit sepse mungon provisonet e qarta kushtetuese, që gjykata mund te thotë mund te vendosim kështu, pasi nuk është e shkruar. Krejt problemi është si të dilet, me çfarë procedurat të dilet prej kësaj situate. Vendimi i fundit fatkeqësisht nuk e ka qartësuar këtë, edhe pse nëse lexohet si e tërë mund të shihet se i jep të drejtë opozitës. Dhe se VV-ja nuk mund ta bllokojë situatë. Mirëpo ka trajtuar çështje, si votimi i fshehte. Askush nuk e konteston votimin e fshehtë si të tillë që është jo kushtetuese. Vetëm se në këtë moment nuk mund të bëhet. Kushtetuesja ka lejuar interpretime”, ka thënë Zeqiri.

Zeqiri kritikoi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se ai ka lejuar hapësirë për interpretime të gabuara.

Zeqiri tha se këtë herë është përgjegjësi e e Gjykatës Kushtetuese, që të japë një vendim të qartë.

“Ka lejuar hapësirë për keqinterpretim. Shpresoj që në vendimin e radhës nuk do të lejoj një hapësirë të tillë. Dhe duhet ta luajë rolin të cilin tradicionalisht e kanë luajtur ndërkombëtarët. Ne e dimë prej Bajram Rexhepit të ndjerit, Atifete Jahjagës, dorëheqjet e dy presidentëve Sejdiu e Pacolli, të gjitha kanë ardhur çdo herë kur situata politike ka ngecur kanë qenë ndërkombëtarët, që e kanë vënë në lëvizje.

Tash gjykata nuk duhet të frikësohet dhe të luajë me norma juridike, por duhet të tregohet më e guximshme në kuptimin q në mënyrë paekuivoke dhe me qartësi juridike me dhënë një mendim që nuk lejon keqinterpretim siç ka bërë herën e kaluar”, ka shtuar Zeqiri.