Zgjidhet Qeveria e re e Serbisë

Kuvendi i Serbisë e ka zgjedhur Qeverinë e re të vendit të enjten e dy majit

Kuvendi i Serbisë e ka zgjedhur Qeverinë e re të vendit të enjten, pas një debati disaorësh dhe me gjithë kritikat nga opozita.

Me 152 vota për, 61 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Serbisë votuan për Qeverinë e re të Serbisë më 2 maj.

Paraprakisht, me shumicë votash ishte vendosur që programi i Qeverisë të votohej publikisht.

Debati parlamentar për Qeverinë e re zgjati më shumë se gjashtë orë.

Qeveria e re do të betohet tani dhe do ta fillojë mandatin e ri katërvjeçar.

Përfaqësuesi i përbërjes së Qeverisë së Serbisë dhe lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviq, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë deklaroi se Serbia e ka ende synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

Së fundi, BE-ja zyrtarisht ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.

Vuçeviq tha se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

“Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviq.

“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.

Qeveria u formua katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat progresistët fituan mbi gjysmën e shumicës në asamblenë republikane. Afati i fundit për zgjedhjen e Qeverisë së re ishte 6 maji.

Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – do të jetë zëvendëskryeministër në Qeverinë e re serbe.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol./REL

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika