Miratohet projektligji për reduktimin e lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut

Në një hap të konsideruar si ndër më të fortët kundër industrisë së bixhozit në Maqedoninë e Veriut, Qeveria ka miratuar projektligjin për lojërat e fatit, i cili synon të reduktojë në mënyrë drastike praninë e kazinove dhe pikave të basteve në vend.

Lajmin e bëri të ditur Zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, i cili theksoi se ky është vetëm fillimi i një fushate për çrrënjosjen e një industrie të lidhur me varfërinë, krimin dhe shkatërrimin social.

Sipas projektligjit të miratuar, mbi 70% e aparateve të lojërave të fatit do të eliminohen, si dhe do të ndalohet reklamimi i bixhozit.

Zëvendëskryeministri njoftoi se në të gjithë territorin e vendit operojnë mbi 1,500 pika të lojërave të fatit, shumica prej tyre të vendosura pranë shkollave dhe zonave të banuara.

“Po e theksoj: ky është vetëm fillimi. Nga mbi 7 mijë aparate VLT, me goditjen e parë do të eliminohen 4 mijë. Po ndalojmë reklamimin e bixhozit. Kazino më nuk do të ketë nëpër vendbanime, fshatra e qytete, siç është gjendja aktualisht. Po largojmë klubet e bixhozit dhe bastoret për të paktën 500 metra nga objektet shkollore”, tha Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i RMV-së.

Do të rriten gjithashtu taksat për ta bërë më të vështirë hapjen e pikave të reja, ndërsa janë mbyllur mbi 200 faqe të paligjshme online.

Zëvendëskryeministri premtoi një luftë të ashpër kundër kësaj dukurie, që sipas tij ka shkatërruar mijëra familje.

“Lufta me industrinë e kumarit është luftë e vështirë dhe e rrezikshme. Është një strukturë e mirëorganizuar, me natyrë kriminogjene, që tejkalon kufijtë shtetërorë dhe nuk njeh barriera politike, etnike, kombëtare apo fetare. Mafia e bixhozit është kanceri i shoqërisë sonë. Ajo premton fat, por sjell vetëm fatkeqësi.”, tha Izet Mexhiti.

Ndërkohë, opozita shqiptare ka akuzuar se zotimi për mbylljen e kësaj dege është vetëm një mashtrim, duke theksuar se kazinotë sot janë më afër se kurrë dhe në funksion të pushtetarëve.

Qeveria e RMV-së, më 24 shtator të vitit të kaluar, vendosi t’u heqë licencat jolegale kazinove online, duke ndaluar kështu aktivitetin e tyre në territorin e shtetit për disa kompani.

Aktualisht, vetëm një kompani është aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut./Euronews.al

Shija e redaktorit

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Shqipëria hap 4 kapituj të rinj në negociatat me BE...

Shqipëria do të hapë më 16 shtator katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në kuadër të Konferencës së 6-të...

Të fundit nga rubrika