SHKRUAN: RADOMIR DIMIÇ
Mbaroi. Kudo që të paraqitet Aleksandar Vuçiq, ai nuk përfaqëson më asnjë autoritet. Askush nuk i beson më autokratit më të madh të Ballkanit.
Kjo u pa më së miri në Kinën “mike”, ku ai pati statusin e një mysafiri të dorës së tretë.
Asgjë më mirë nuk kaloi as në paradën ushtarake ruse, ku e fshehën diku në një qoshe sa të mos dukej fare. Pra, jo vetëm që tirani i çmendur nuk ka më asnjë lloj reputacioni apo roli në botë, por i gjithë i frustruar merret edhe me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila, pas Albin Kurtit, është bërë qartë edhe ajo makthi i tij më i madh.
I kompleksuar dhe i nervozuar, deklaroi – duke dashur ta përçmojë – se Vjosa Osmani mund të shëtisë në Kombet e Bashkuara vetëm si turiste. Por i gjithë bota mundi ta shohë presidenten e shtetit të Kosovës me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, teksa shtrëngonin duart dhe bisedonin. Në atë rast, ajo mori lavdërime nga presidenti dhe ai i njohu përfaqësimin e saj dinjitoz për vendin e saj si dhe përpjekjet demokratike që po bën për të ardhmen e qytetarëve të saj.
Një deklaratë e tillë, natyrisht, e dhemb diktatorin patologjik dhe narcisist Vuçiq, i cili askund nuk u pa dhe nuk u takua me asnjë lider apo zyrtar botëror. Prandaj, nuk është se, siç thotë ministri yt i jashtëm i preferuar dhe i bindur, Vjosa “u fut fshehurazi” në Kombet e Bashkuara, por ajo, ndryshe nga ti, zhvilloi në mënyrë legale shumë më tepër punë bilaterale dhe realizoi pa numër kontakte të rëndësishme dhe të dobishme për vendin e saj.
Vetëm ti nuk ishe askund – përveçse diku në një korridor, i vetmuar me një kanaçe birrë dhe një sanduiç.
Përndryshe, presidenti amerikan Donald Trump edhe gjatë kësaj sesioni të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara organizoi një darkë solemne për mysafirët, për pothuajse të gjithë liderët botërorë – vetëm ti, Aco Serbi, nuk u pe askund aty, madje as që u ftove.
Pra, nuk ishe në vendin ku mbrohen interesat e Serbisë, si edhe të çdo shteti tjetër, aty ku nga e gjithë Evropa mungonin vetëm Putini dhe Lukašenko.
Shtrohet pyetja: çfarë ka të vërtetë në atë që publikuan Ana Brnabiq dhe Marko Gjuriq, të cilët u nervozuan e u trazuan shumë? Ata thanë se kishe, gjoja, një takim bilateral të rëndësishëm në të njëjtën kohë kur të gjithë të tjerët nga Evropa ishin në darkën e Trumpit – përveç Putinit, Lukašenkos dhe teje.
A ishte vallë ai “takim bilateral i rëndësishëm” në fakt me shokun tënd, ortak Slaviša Kokeza, i cili, sipas zërave, është zhdukur nga Serbia me një grumbull parash të popullit dhe ka përfunduar në Florida ose në ndonjë ishull ekzotik?
Në rregull është që tundni me një ftesë, legjitime qoftë, por nxirrni edhe atë ftesën tjetër që kurrë nuk e keni demantuar – atë ku njëfarë Alex Vuč, gjoja, ishte i ftuar në rezidencën verore të Trumpit në Mar-a-Lago, në Florida, që ishte paguar shtrenjtë me para të dyshimta.
E shihni si Albin dhe Vjosa, pa paguar shuma të mëdha me para të dyshimta, kryejnë punë shtetërore dhe detyrat e tyre diplomatike.
Ai skandal në Florida ende pëshpëritet si debakli juaj më i madh politik. A është e vërtetë, siç komentohet, që Vuçiqi, i nervozuar nga niveli i ulët i bisedave që pati në Nju Jork – përveç atij me Marko Rubion – u bërtiti aq shumë Marko Gjuriqit, sa ky mezi u pranua të hipte në avion për t’u kthyer në Serbi? Keq e pësoi edhe ambasadori i Serbisë në SHBA, Dragan Šutanovac.
Këto janë pyetje për të cilat regjimi diktatorial duhet të japë përgjigje, me vetëdijen se sot të gjithë në Serbi e dinë se Vuçiqi i trishtuar, nervoz dhe i vetmuar, në korridoret e OKB-së, teksa ha një sanduiç dhe patate të skuqura, përfaqëson pamjen e vërtetë të politikës së tij që e tërheq Serbinë drejt një ishulli të shkretë izolimi – aty ku mendon se mund të plaçkitë pa pengesa, të rrahë, të arrestojë dhe të shkatërrojë popullin serb dhe shtetin që po shndërrohet në fashist.
Por, nuk do të mundet – thonë studentët. Aleksandër i çmendur, pranë teje kanë mbetur vetëm ata që të puthin papuçen. Dhe për këtë arsye ju sulmoni aq shumë të ashtuquajturën listë zgjedhore studentore të pa shpallur.
Mendoni pak, sikur të bëheshin publike ato emra – çfarë do t’i shkonte ndër mend këtij regjimi? Çfarë do t’u ndodhte atyre personave po atë ditë? A do t’i prisnin me rrahje banditët, apo thjesht dikë prej tyre do ta shkelte lehtë një makinë?
Ose ndoshta vetëm vetë Vuçiqi, nga telefoni i tij, do të publikonte se bëhet fjalë për pedofilë, narkomanë, hajdutë, tradhtarë të shtetit ose të çmendur.
Kam frikë se pistoletat janë në duart e atyre që rrahin studentët.
NËSE SERBIA TANI NUK NDRYSHON – DO TË NDALOJË SË EKZISTUARI.