Standardet e dyfishta të Brukselit

Nëse Ursula von der Leyen dhe kolegët e saj duan të flasin për drejtësi, le ta fillojnë nga Milan Radoiçiq – nga krimi që ndodhi në Banjskë dhe nga fakti që Serbia e ka kthyer atë në simbol të paprekshmërisë.

 

Imer Mushkolaj

 

Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në rajon, e ka bërë edhe një herë të dukshme pabarazinë në qasjen e Bashkimit Europian ndaj Kosovës dhe Serbisë. Me tone të buta në Beograd dhe me gishtin tregues në Prishtinë, ajo e ka përsëritur narrativën që e kemi dëgjuar shumë herë: Serbia, ndonëse rrëshqet gjithnjë e më thellë në autokraci, trajtohet si partner i nevojshëm, kurse Kosova, e cila qëndron në anën e duhur të historisë, vazhdon të ndëshkohet.

Në çdo vizitë zyrtare, kontrasti është i qartë. Në Beograd liderët europianë flasin për “bashkëpunim strategjik”, ndërsa në Prishtinë japin “këshilla” e “paralajmërime”. Ky standard i dyfishtë është bërë rregull, jo përjashtim. Dhe në thelb të tij qëndron një frikë naive: mos ta zemërojmë Aleksandër Vuçiqin, se mos prish stabilitetin. Kjo logjikë ka prodhuar politikë të dështuar – sepse i jep pushtet atij që kërcënon dhe e ndëshkon atë që bashkëpunon.

Vuçiqi e ka kuptuar këtë. Ai e di se mjafton të flasë për “dialog”, ndërsa mban në fuqi propagandën e urrejtjes kundër Kosovës, për t’u trajtuar si “faktor stabiliteti”. Në realitet, Serbia është bërë vatër destabiliteti. Nga kontrolli i mediave e represioni ndaj opozitës, e deri te mbështetja për strukturat kriminale në veri të Kosovës, regjimi i Vuçiqit është shembulli i qartë i asaj që Evropa thotë se e lufton – por që në rastin e tij e toleron.

Shembulli më i qartë i kësaj hipokrizie është rasti i Milan Radoiçiqit, njeriut që e ka pranuar publikisht përfshirjen në sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës. Në çdo shtet normal, një akt i tillë do të sillte hetime të thella dhe dënime të rënda. Në Serbi ndodhi e kundërta: Radoiçiq u mor në “pyetje”, u lirua menjëherë dhe sot jeton i lirë, nën mbrojtjen e pushtetit. Prokuroria serbe as që është përpjekur t’ia dorëzojë drejtësisë kosovare.

 

*  *  *

 

Kjo është një provë e qartë se Serbia jo vetëm nuk ndëshkon terroristët që sulmojnë Kosovën, por i strehon dhe i mbron ata. Megjithatë, Brukseli nuk reagon. Nuk ka sanksione, nuk ka pezullime fondesh, nuk ka paralajmërime për masa. Përkundrazi, Vuçiq pritet me buzëqeshje në samite, ndërsa Kosovës i mbeten leksionet e pafundme për “normalizim”.

Ndërkohë Kosova, e cila ka ndërtuar institucione demokratike, ka qëndruar pranë Ukrainës dhe BE’së në çështjet gjeopolitike, vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të padrejta. Sanksionet e vendosura pas ngjarjeve në veri nuk kanë shërbyer për asgjë, përveçse kanë dëmtuar qytetarët. Projektet janë pezulluar, fondet janë ngrirë, dhe sinjali që jepet është absurd: “Nëse mbron sovranitetin tënd, do të ndëshkohesh”.

Vizita e Von der Leyen e konfirmoi këtë qasje. Ajo përsëriti se Kosova duhet të  të deeskalojë tensionet në vend, por nuk tha asnjë fjalë për nevojën që Serbia të përballet me realitetin e shtetit të Kosovës, as për drejtësinë e munguar në rastin e Banjskës. Për autokratin në Beograd mjafton gjuha e kujdesit, për Kosovën vjen toni i presionit.

Europa që dikur predikonte vlera e drejtësi, sot është kthyer në një burokraci që mat stabilitetin me heshtje. Kjo qasje jo vetëm që dëmton Kosovën, por e dobëson vetë Bashkimin Europian. Si mund të flasë BE’ja për “luftë kundër autokracive” kur i jep dorën një autokrati që strehon terroristë dhe kërcënon fqinjët? Si mund të kërkojë respekt për sundimin e ligjit, kur shpërblen ata që e shkelin atë çdo ditë?

Kosova nuk kërkon privilegje. Kërkon trajtim të barabartë. Kërkon që BE të mos i mbyllë sytë para Vuçiqit dhe të mos e përdor Kosovën si shembull të disiplinës politike. Nëse Ursula von der Leyen dhe kolegët e saj duan të flasin për drejtësi, le ta fillojnë nga Radoiçiqi – nga krimi që ndodhi në Banjskë dhe nga fakti që Serbia e ka kthyer në simbol të paprekshmërisë.

Sepse pa drejtësi s’mund të ketë as paqe, as stabilitet. Dhe nëse Evropa vazhdon të shpërblejë autokratin, atëherë ajo nuk po ruan stabilitetin e rajonit, por vetëm iluzionin e vet.

Të fundit nga rubrika