Nga Leposaviqi te Kllokoti: Terrori i Serbisë kundër serbëve në Kosovë

Serbia po përgatit terrenin për t’u rikthyer në Kosovë në të njëjtën mënyrë si para vitit 2022, përmes presionit politik, frikësimit dhe dhunës së drejtpërdrejtë ndaj çdo serbi që refuzon t’i shërbejë regjimit të Vuçiqit. Shembulli më i freskët i kësaj qasjeje është tentativa për vrasjen e Millan Vukashinoviq-it në Leposaviq, në zonën kufitare të pikës zero, vetëm një kilometër larg kufirit me Serbinë, ku Policia e Kosovës nuk ka qasje.

Të shtunën e javës së kaluar, Vukashinoviq, qytetar serb i Republikës së Kosovës, po blinte pesë kilogramë mjaltë nga Daki Antiq, ish-pjesëtar i ushtrisë serbe. Ai ishte i shoqëruar nga ish-zëvendësministri Radoica Radomiroviq, kur papritur nga zona pyjore dolën tri makina të xhandarmërisë serbe me persona të uniformuar e të maskuar. Në mesin e tyre dyshohet se ishte edhe Milan Radoiçiq me disa nga pjesëtarët e grupit të tij.

Ky nuk është rasti i parë i dhunës ndaj Vukashinoviq-it. Sipas Radomiroviq, vitin e kaluar, vetura e tij u sulmua me eksploziv, pasi ai është një nga zërat opozitarë brenda komunitetit serb në Kosovë dhe refuzon të jetë pjesë e Listës Serbe. Vukashinoviq punon në doganën e Kosovës me një kompani sigurimi dhe në vitin 2022 nuk iu bind urdhrit të Vuçiqit për dorëheqje nga institucionet kosovare, një veprim që tashmë e ka vendosur në shënjestër të Beogradit.

Terrori i shtetit dhe frikësimi politik: Kontrolli i Beogradit mbi serbët e Kosovës

Në Kllokot, situata është po aq alarmante. Janë zbuluar dëshmi se Lista Serbe po përjashton nga puna qytetarët që nuk kanë votuar për të, ndërsa edhe Kisha Ortodokse Serbe i është bashkuar hapur këtij procesi politik. Vetëm pak ditë pas këtyre zbulimeve, kandidati opozitar Sreqko Spasiq, që ishte në balotazh me Bozhidar Dejanoviç, u tërhoq papritur nga gara dhe iu bashkua Listës Serbe, një veprim që ngre dyshime të forta për presion apo manipulim politik.

Kërcënimet, linçimet, plagosjet e madje edhe vrasjet ndaj opozitës serbe në Kosovë janë bërë fenomen që po përshkallëzohet me rritjen e vetëdijes së qytetarëve serbë që nuk e duan regjimin e Vuçiqit, as në Serbi e as në Kosovë.

Kur më 3 gusht 2025 partia “Novo lice Srbije” njoftoi bashkimin me iniciativën qytetare “Narodna pravda” nga Kosova, reagimi i Listës Serbe ishte i menjëhershëm dhe agresiv. Ata e quajtën këtë bashkim “krah të zgjatur të Albin Kurtit” dhe e shpallën si tradhti, duke pretenduar se vetëm ata përfaqësojnë “autentikisht” serbët. Ky është mentaliteti i monopolizimit të përfaqësimit politik, çdo mendim ndryshe trajtohet si armik.

Në një tjetër rast, qytetarja Aleksandra Trajkoviq nga Graçanica ka treguar publikisht se djali dhe familja e saj po terrorizohen nga stafi serb i shkollës në Shushicë, vetëm sepse Qeveria e Kosovës i ndërtoi një shtëpi. Ky është dimensioni social i represionit, ku ndëshkohet çdo shenjë bashkëpunimi apo mirënjohjeje ndaj institucioneve të Kosovës.

E gjithë kjo tablo tregon se Serbia po përdor frikën, dhunën dhe kontrollin institucional për të rikthyer ndikimin e saj politik dhe kriminal në Kosovë.

Madje provokimet, në veri të Kosovës me shkrime si “Kosova është Serbi” janë nxitje të cilat po thërrasin në mobilizim. E ngjarjet e tilla kujtojnë edhe kohën jo të largët kur u vra Ivanoviq.

Lufta hibride përmes frikës, fesë dhe kontrollit

Lufta hibride e Serbisë kundër Kosovës po paralajmëron sfida për ndërkombëtarët dhe vendorët dhe gjendja është një alarm i pastër. Serbia nuk po përpiqet më ta fshehë strategjinë e saj për të mbajtur serbët e Kosovës nën kontroll, por këtë po e bën hapur dhe në formë brutale. Beogradi po e përdor “Listën Serbe” si një mjet politik dhe paramilitar për të nënshtruar çdo zë të pavarur, duke krijuar një mini-autokraci brenda territorit të Kosovës. Kjo e tejkalon ndikimin politik në një terror të organizuar shtetëror që synon të paralizojë komunitetin serb që guxon të mendojë ndryshe. Lufta hibride e Serbisë po ndodh tani, përmes frikës, propagandës, Kishës, dhe rrjeteve kriminale që e mbajnë popullin e vet si peng politik.

Konkluzioni është i ashpër por realist: nëse KFOR-i, BE-ja dhe SHBA-ja nuk reagojnë menjëherë me masa konkrete (jo vetëm deklarata), atëherë Serbia do të rikrijojë versionin e vet të “Republika Srpska 2.0” në veri të Kosovës, me pasoja që mund të destabilizojnë gjithë rajonin.

Dr. Gurakuç Kuçi është Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”.

Të fundit nga rubrika