Manovrat populiste të Kurtit

Pushteti që shpërndan para për t’u dukur i mirë, është po ai pushtet që do të harxhojë miliona për të qëndruar në karrige – ndërsa të tjerët mbeten pa paga, pa zë dhe pa shpresë.

 

Imer Mushkolaj

 

Në Kosovën e Albin Kurtit, çdo krizë zgjidhet me një “kompensim”: pensionistëve dhjetëra euro, studentëve 100. Me kaq qeveria mendon se ka blerë mirënjohje, heshtje, ndoshta edhe vota. Kjo është një mënyrë e vjetër për të qeverisur, e ricikluar tashmë në një paketim të ri propagandistik: “kujdes për qytetarët”.

Kryeministri në detyrë, i cili dikur i thërriste njerëzit në rrugë kundër keqpërdorimit të parasë publike, sot e shpërndan atë për t’u bërë i pëlqyer. Ndihmat, shpërblimet, kompensimet e përkohshme janë kthyer në instrumentë politikë për ta zbutur pak zhgënjimin. Sepse, është më e lehtë të japësh 100 euro, sesa të japësh arsye pse nuk po funksionon asgjë.

Kjo skemë “solidariteti” nuk është as plan ekonomik e as politikë sociale – është manovër elektorale, e cila bëhet me paratë e qytetarëve, që s’i pyet askush. Qeveria shpërndan eurot që nuk janë të sajat, por që i trajton si pronë partiake. E bën këtë mbase me bindjen se njerëzit kanë kujtesë të shkurtër dhe ndoshta do ta harrojnë që në këtë vend, tash sa kohë, nuk po ecën asgjë përpara.

Por, përderisa qeveria luan rolin prej filantropi, më se 700 punëtorë të RTK’së kanë ngelur pa paga. Ata që mbajnë gjallë transmetimin publik, të cilin pushteti e përdor kur i konvenon dhe e injoron kur i duhet pavarësi. Për ta nuk ka fonde emergjente, nuk ka vendim qeveritar, as keqardhje. RTK’ja mbase sjell pak vota, andaj mund të presë.

Në këtë mënyrë, Albin Kurti po ndërton me kujdes një model klientelist dhe populist të qeverisjes – një sistem ku qytetarët lidhen me pushtetin nëpërmjet favoreve të vogla dhe jo rezultateve reale. Ai kërkon mbështetje politike duke shpërndarë para publike, duke u paraqitur si shpëtimtar i çdo grupi të pakënaqur, ndërsa në prapaskenë krijon një varësi të qëllimshme të këtyre grupeve ndaj qeverisë.

 

*  *  *

 

Imagjinoni për një moment që pa paga të mbeteshin vetë deputetët apo ministrat në detyrë. Çfarë do të ndodhte? Seanca urgjente, tituj alarmantë, ndërhyrje e menjëhershme. Asnjë ditë pa pagesë për “të zgjedhurit e popullit”. Për ata që të shumtën e rasteve nuk kanë bërë asgjën përveçse kanë marrë paga e mëditje, udhëtime e benificione. Miliona euro janë harxhuar për t’i mbajtur të rehatuar.

Ndërkaq të tjerët, ata që punojnë vërtet – mësues, studentë, mjekë – trajtohen si pjesë e një mase që mund të blihet me një bankënotë. Në këtë shtet, dinjiteti i studentit kushton 100 euro, aq sa për ta blerë vëmendjen e një jave, për ta zëvendësuar zemërimin me një ndjenjë të përkohshme lehtësimi.

Por, kur propaganda përfundon, realiteti mbetet i njëjtë: studentët ballafaqohen me sfidat e njëjta, punëtorët e RTK’së nuk kanë paga, ndërsa qeveria nuk ka ide. Dhe kjo është arsyeja pse çdo “ndihmë” e tillë tingëllon bosh. Sepse vjen nga një pushtet që nuk di të ndërtojë asgjë afatgjatë, që ka harruar premtimet për reformë dhe që sot mbahet gjallë me marketing të lirë e statuse vetëlavdërimi. Një pushtet i cili ka veç arsyetime për bllokada, që fajëson të tjerët, që nuk ndërmerr asgjë.

Nëse vërtet do të kishim qeveri që mendon për rininë, do të kishim investime në arsim dhe më shumë programe punësimi. Por kjo kërkon mund, jo propagandë. E pushteti aktual, për fat të keq, ka zgjedhur rrugën e lehtë – të ndajë para, të bëjë fotografi dhe të presë duartrokitje virtuale.

Në fund të fundit, kjo është filozofia e kësaj qeverisjeje: pushteti shpërndan, qytetari hesht dhe kështu, shteti kthehet në një aparat që nuk ndihmon, por manipulohet. Një aparat që paguan për lojalitet, jo për punë.

Dhe kur ndonjë ditë studentët, punëtorët e RTK’së, e gjithë shoqëria do të lodhet nga roli i spektatorit, do ta kuptojë se 100 eurot e sotme janë vetëm një investim në varfërinë e nesërme. Sepse pushteti që shpërndan para për t’u dukur i mirë, është po ai pushtet që do të harxhojë miliona për të qëndruar në karrige – ndërsa të tjerët mbeten pa paga, pa shpresë e pa zë.

Të fundit nga rubrika