Ajo që po ndodh sot është më shumë se debat i ashpër. Është institucionalizim i toksicitetit. Është normalizim i përbaltjes. Dhe publiku, me kalimin e kohës, rrezikon ta pranojë këtë si standard të ri, si rregull të lojës. Por, kur gjuha degradohet, degradon edhe demokracia.
Imer Mushkolaj
Prej disa vitesh debati publik në Kosovë po karakterizohet nga një garë e hapur për etiketim, sharje e përbaltje. Ajo që dikur ishte përplasje idesh është kthyer në një terren në të cilin fjalët përdoren më shumë si armë, sesa si mjete sqarimi. Në këtë degradim të diskursit publik, rolin kryesor e ka pasur instalimi i një gjuhe toksike nga Lëvizja Vetëvendosje – një gjuhë, e cila nga qendra e partisë ka zbritur te militantët, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e debatit dhe në lirinë e shprehjes.
Shpesh thuhet se pushteti e ndryshon njeriun. Por duket se në rastin e Vetëvendosjes, pushteti nuk e ndryshoi vetëm sjelljen e njerëzve, por edhe diksursin publik. Ajo që dikur ishte energji opozitare, e artikuluar nëpërmjet një kritike të ashpër ndaj qeverive të mëparshme, sot është shndërruar në një mekanizëm përbuzjeje ndaj kujtdo që nuk pajtohet me partinë. Militantët e saj, sidomos në rrjete sociale, e kanë bërë normalitet etiketimin e kritikëve si “të kapur”, “mercenarë”, “argatë të krimit”, “mbeturina të sistemit” etj. Këto nuk janë më raste të izoluara: janë bërë gjuhë standarde, e përsëritur përditë, toleruar nga struktura të partisë dhe shpesh e nënkuptueshëm inkurajuar prej tyre.
Sa herë një gazetar ose opinionist ngre zërin për një çështje që prek qeverinë, mjaftojnë pak minuta që të nisë një fushatë e koordinuar nëpër komente: akuza, shpifje, kërcënime. Është një formë moderne e linçimit, ku turmat digjitale sulmojnë jo për të kundërshtuar argumentin, por për të shkatërruar kredibilitetin e personit që e ka thënë. Kjo nuk është kulturë debate, por intimidim.
Vetë partia, ndërkaq, zgjedh të mos e qetësojë, por ta ushqejë këtë atmosferë. Shumë deklarata publike të zyrtarëve të Vetëvendosjes janë të mbushura me fjalor përçmues ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Në vend të arsyetimit politik, dominojnë insinuatat se kritika është e paguar ose e motivuar nga prapaskena të errëta. Kjo strategji, sado e vjetër në politikën ballkanike, merr një formë më të rrezikshme kur bëhet nga një parti që ka kultivuar për vite me radhë imazhin e moralizmit politik. Përkthimi është i qartë: kush nuk është me ne, është kundër nesh.
* * *
Nëpërmjet këtij dikursi dëm të madh pësojnë ata që sulmohen personalisht. Por, dëmi bëhet më i madh për shkak të kontaminimit të hapësirës publike, krijimit të klimës së frikës dhe hezitimit të njerëzve për t’u shprehur. Kështu krijohet situata kur gazetarët mund të mendojnë dy herë para se të shtrojnë një pyetje kritike në konferencë, sepse e dinë se pas saj mund të pasojë një ortek komentuesish të ushqyer nga retorika zyrtare. Në anën tjetër, edhe qytetarët shmangin diskutimet politike nga frika e stigmës. Pra, kështu liria e shprehjes ngushtohet jo nëpërmjet ligjit, por presionit të vazhdueshëm shoqëror të kanalizuar nga pushteti.
Në teori, liria e shprehjes është e garantuar me kushtetutë. Në praktikë, kultura politike e imponuar nga Vetëvendosje po e bën gjithnjë e më të vështirë ushtrimin e saj. Problemi nuk është se partia ka militantë. Çdo parti i ka. Problemi është kur militantizmi shndërrohet në agresion verbal të toleruar. Kur qeveria, e cila duhet të krijojë një ambient në të cilin kritika është normale, e sheh kritiken si provokim. Kur vetë politikanët kontribuojnë në polarizim duke ndarë shoqërinë në “ne” dhe “ata”.
Është e vërtetë që gjuha politike në Kosovë kurrë s’ka qenë e butë. Por, ajo që po ndodh sot është më shumë se debat i ashpër. Është institucionalizim i toksicitetit. Është normalizim i përbaltjes. Dhe publiku, me kalimin e kohës, rrezikon ta pranojë këtë si standard të ri, si rregull të lojës. Por, kur gjuha degradohet, degradon edhe demokracia.
Kosova ka nevojë urgjente të çlirohet nga ky helm. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e partisë deri tash në pushtet, por është nisur nga aty dhe kërkon reflektim nga aty. Politika nuk është fushëbetejë ku kundërshtari duhet shkatërruar, por hapësirë ku idetë duhet sfiduar. Kush e ngatërron këtë ose nuk e kupton demokracinë, ose nuk i intereson ajo.
Nëse një parti që pretendon se përfaqëson ndryshimin e lejon, madje e përdor, gjuhën toksike, atëherë ndryshimi që ka sjellë nuk është ai që ka premtuar. Një shoqëri e shëndetshme nuk matet me numrin e militantëve, por me aftësinë për të dialoguar pa frikë. Sot, pikërisht kjo aftësi po mungon më së shumti.
