Policia e Kosovës sot ka arrestuar katër persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e marrje të ryshfetit.
Dy nga ta ushtrojnë funksionin e inspektorit në Departamentin për Siguri Publike pranë MPB-së ndërsa dy të tjerët janë përfaqësues të një poligoni qitës.
Krejt ky aksion u realizua meqë dyshohet që të arrestuarit keqpërdorën lejet për armë zjarri.
“Lidhur me rastin dyshohet se katër persona të dyshuar (nga ta tre meshkuj kosovarë dhe një femër kosovare) janë përfshirë në veprat penale të lartcekura, duke marrë ryshfet nga persona të ndryshëm të cilët janë pajisur me certifikatë për leje të armës pa prezencën e tyre, siç e parasheh ligji dhe procedurat tjera vijuese”-Policia e Kosovës.
Detaje tjera dha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës që urdhëroi aksionin.
“Me urdhër të gjykatës kompetente, në bazë të kërkesës me shkrim nga ana e prokurorit të shtetit, është realizuar një urdhër kontrolli në disa lokacione të ndryshme, ku deri më tani dy persona zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dyshohet të kenë kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, të cilët kanë lëshuar certifikata për t’u pajisur me leje të armëve tek qytetarët pa i përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme ligjore”, ka thënë Kaltrina Shala – Prokuroria Themelore, Prishtinë.
Policia poashtu njoftoi se gjatë bastisjeve janë sekuestruar përkohësisht: 7 telefona celularë, dosje dhe dokumente relevante në lidhje me rastin.