Kosova pjesë e “Bordit të Paqes” pa detyrime financiare, thotë Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se ka pranuar ftesë personale nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, një organizatë ndërkombëtare e themeluar nga SHBA, ku Kosova është përzgjedhur si një nga anëtaret themeluese.

Ajo ka theksuar se pjesëmarrja e Kosovës nuk përfshin detyrime financiare të detyrueshme.

Në një deklarim për media, Osmani e ka cilësuar ftesën si një zhvillim me rëndësi historike për vendin.

“Ky është një zhvillim i një rëndësie historike për Kosovën. Në radhë të parë për shkak se kjo është një organizatë ndërkombëtare, është anëtarësim i Kosovës në një organizatë ndërkombëtare dhe atë si një ndër anëtarët themelues të kësaj organizate. Në radhë të dytë se kjo organizatë themelohet nga SHBA. Dhe në radhë të tretë për shkak se SHBA kanë përzgjedhur pikërisht Kosovën në mesin e disa shteteve që janë anëtare themeluese, duke pasur parasysh përvojën e Kosovës në shtetndërtim, në ndërtim të paqes, aleancave, përvojë kjo që do të mund të ndihmojë në ndërtimin e paqes edhe në vendet e tjera të botës”, tha ajo në një deklarim për media.

Presidentja ka theksuar gjithashtu besimin e saj në suksesin e Bordin e Paqes, duke e lidhur këtë me lidershipin dhe vizionin e presidentit amerikan.

“Dua ta përmend faktin se kam besim të plotë që kjo organizatë ndërkombëtare do të jetë një ndër organizatat më të suksesshme në historinë moderne të botës. Në radhë të parë për shkak të lidershipit të guximshëm dhe vizionit të presidentit Trump dhe SHBA. Dhe në radhë të dytë për shkak se bazohet në vlerat më fundamentale të njerëzimit, pra në rëndësinë e paqes për të arritur gjithçka tjetër, sepse pa paqe gjithçka tjetër është e pamundur për shtete, kombe dhe popuj. Prandaj me krenari të madhe kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump”, tha ajo.

Osmani ka sqaruar se pjesëmarrja e Kosovës është e bazuar në vullnet dhe nuk kërkon kontribute financiare të detyrueshme.

“Një gjë e tillë nuk është përmendur në dokumentacionin që na është dërguar. Ju e keni parë edhe vetë ftesën, por edhe në dokumentacionin përcjellës nuk përmendet çështja e ndonjë pagese. I lihet shteteve që këtë gjë ta bëjnë në mënyrë vullnetare. Për të gjitha çështjet jemi në koordinim me SHBA. Kontributi i Kosovës do të jetë domethënës për shkak të përvojës sonë në ndërtimin e paqes”, tha ajo.

Shija e redaktorit

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

BE: Kosova e 13-ta në botë për siguri strategjike, Mali...

Sipas Normandy Index 2025, të përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet në vendin e 13-të në botë për nivelin më...

Të fundit nga rubrika