UNI – Universum International College fuqizuar nga Arizona State University organizoi me sukses Panairin e Karrierës 2026, duke e kthyer kampusin në Prishtinë në qendrën më të madhe të mundësive për punësim, praktikë profesionale dhe rrjetëzim me kompani vendore e ndërkombëtare.
Mbi 35 kompani, institucione dhe organizata prestigjioze u bënë pjesë e këtij eventi, ku qindra studentë dhe të rinj patën mundësinë të takohen direkt me punëdhënësit, të prezantojnë CV-të e tyre dhe të eksplorojnë mundësi reale për zhvillim profesional.
Atmosfera energjike, interesimi i madh i studentëve dhe prezenca e bizneseve nga sektorë të ndryshëm e shndërruan Panairin e Karrierës në një nga ngjarjet më të rëndësishme për të rinjtë në Kosovë.
Gjatë panairit, studentët zhvilluan takime direkte me kompani të njohura, morën këshilla profesionale për karrierën dhe u informuan mbi pozitat e hapura për punë dhe praktikë.
Panairi i Karrierës 2026 dëshmoi edhe një herë përkushtimin e UNI – Universum International College në përgatitjen e studentëve për tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës.