Kërcënimet hibride dhe mbrojtja ndaj tyre

Autor: Gjon Culaj, bashkëpunëtor në Institutin “OCTOPUS”
Mjedisi aktual i sigurisë po përballet me ndryshime të thella, ku format tradicionale të konfliktit po zëvendësohen gjithnjë e më shumë nga forma të sofistikuara dhe të vështira për t’u identifikuar të veprimit armiqësor.
Në këtë realitet të ri, kërcënimet hibride janë shndërruar në një nga sfidat kryesore për shtetet demokratike, pasi ato ndërthurin instrumente ushtarake dhe civile, metoda konvencionale dhe jokonvencionale, si dhe mjete politike, ekonomike, informative dhe kibernetike, me synimin për të dobësuar institucionet shtetërore, për të cenuar proceset demokratike dhe për të minuar besimin e qytetarëve në sistemin politik.
NATO i definon kërcënimet hibride si kombinim i mjeteve ushtarake dhe joushtarake, të dukshme dhe të fshehta, përfshirë dezinformimin, sulmet kibernetike, presionin ekonomik dhe interferimet politike, me qëllim destabilizimin e shoqërive demokratike (NATO, 2026).
Ky koncept u zhvillua për të shpjeguar format e reja të konfliktit që nuk kufizohen në përdorimin e forcës së armatosur. Sipas Frank G. Hoffman (2007), “Luftërat hibride përfshijnë një gamë të gjerë mënyrash të zhvillimit të luftës, si kapacitetet konvencionale, taktikat dhe formacionet e parregullta, aktet terroriste e forma të ndryshme të detyrimit, si dhe veprimtari kriminale” (Hoffman, 2007:8). Ndërkaq, Michael J. Mazarr, në librin e tij “Mastering the Gray Zone: Understanding a Changing Era of Conflict“ vë në pah një nga tiparet më dalluese të kërcënimeve hibride, të ashtuquajturën “zonë gri” (gray zone), një hapësirë strategjike ndërmjet paqes dhe konfliktit të hapur, ku kufijtë tradicionalë ndërmjet këtyre dy gjendjeve bëhen të paqartë. Në këtë mjedis, aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë përdorin një kombinim mjetesh politike, ekonomike, informative, kibernetike dhe ushtarake për të avancuar interesat e tyre pa e kaluar pragun që do të shkaktonte një përgjigje të drejtpërdrejtë ushtarake. Edhe pse këto veprime shpesh zhvillohen gradualisht dhe në mënyrë të vështirë për t’u identifikuar si agresion i drejtpërdrejt, efektet e tyre mund të jenë të thella, duke dobësuar institucionet shtetërore, duke minuar besimin e qytetarëve ndaj autoriteteve publike dhe duke cenuar stabilitetin e rendit demokratik (Mazarr, 2015:55-56).
Kërcënimet hibride si sfidë për demokracinë
Demokracitë moderne paraqesin objektiva tërheqëse për kërcënimet hibride për shkak të hapjes së tyre politike, pluralizmit mediatik dhe lirisë së shprehjes. Sipas Tanja Ellingsen (2024), aktorët hibridë synojnë të shfrytëzojnë pikërisht këto karakteristika demokratike për të nxitur polarizim politik, mosbesim ndaj institucioneve dhe dobësim të proceseve demokratike (Ellingsen, 2024:46).
Sipas Chodak, Krassowski dhe Wierzchowski (2021), kërcënimet hibride mbështeten kryesisht në instrumente jo-ushtarake dhe në ndikimin psikologjik mbi shoqërinë.
Autorët theksojnë se popullsia civile paraqet njëkohësisht një burim dobësish shoqërore dhe një objektiv të drejtpërdrejt të fushatave të dezinformimit dhe manipulimit informativ.
Në këtë kuptim, shoqëria civile nuk mbetet vetëm objekt i veprimeve hibride, por shndërrohet edhe në hapësirën kryesore ku zhvillohet konkurrenca për ndikim, besim dhe perceptim publik (Chodak et al., 2021:92–93).
Një element tjetër po aq i rëndësishëm i kërcënimeve hibride është lufta informative dhe dezinformimi. Aktorët shtetëror dhe joshteteror përdorin media sociale dhe platforma digjitale për të përhapur narrativa të rreme, për të ndikuar opinionin publik dhe për të krijuar polarizim politik.
Sipas Rühle dhe Roberts (2021), këto fushata synojnë të minojnë besimin e qytetarëve në institucionet demokratike dhe të krijojnë “realitete alternative”, ku e vërteta dhe propaganda bëhen të vështira për t’u dalluar. Si rrjedhojë, proceset demokratike si zgjedhjet dhe debati publik bëhen më të cenueshme ndaj manipulimit.
Një tjetër dimension që vlen të permendet është cenueshmëria e institucioneve demokratike ndaj sulmeve kibernetike. Infrastrukturat kritike shtetërore, sistemet zgjedhore dhe rrjetet e komunikimit mund të jenë objektiva të drejtpërdrejt të sulmeve hibride. Këto sulme nuk synojnë vetëm dëmtimin teknik, por edhe krijimin e pasigurisë dhe mosbesimit në aftësinë e shtetit për të garantuar funksionim normal. Sipas konceptit të sigurisë kibernetike në NATO, rezistenca ndaj sulmeve të tilla kërkon jo vetëm mbrojtje teknike, por edhe aftësi të rimëkëmbjes së shpejtë institucionale dhe shoqërore (NATO, 2024).
Kërcënimet hibride ndikojnë gjithashtu në polarizimin social dhe dobësimin e kohezionit demokratik. Duke shfrytëzuar ndarjet ekzistuese politike, etnike apo sociale, aktorët e jashtëm mund të thellojnë konfliktet e brendshme dhe të dobësojnë konsensusin demokratik. Sipas Ellingsen (2024), qëllimi kryesor i këtyre ndërhyrjeve nuk është gjithmonë ndryshimi i regjimit, por krijimi i një mjedisi të paqëndrueshëm ku institucionet humbin legjitimitetin dhe qytetarët humbin besimin në sistemin demokratik (Ellingsen, 2024:45).
Në këtë kontekst, forcimi i resiliencës demokratike përbën një shtyllë të mbrojtjes së sistemeve politike bashkëkohore. Resilienca përfaqëson aftësinë e një sistemi politik dhe shoqëror për të parashikuar, për t’u përballur dhe për t’u ringritur nga goditjet hibride, duke ruajtur funksionet e tij bazë dhe stabilitetin institucional. Kjo aftësi përfshin jo vetëm reagimin ndaj krizave, por edhe përshtatjen dhe funksionimin demokratik në kushte presioni të jashtëm dhe të brendshëm (NATO, 2025). Sipas konceptit të NATO-s për reziliencën, forcimi i qëndrueshmërisë së shoqërive demokratike përfshin një qasje gjithëpërfshirëse institucionale, zhvillimin e sigurisë kibernetike, promovimin e transparencës në qeverisje dhe fuqizimin e edukimit mediatik të qytetarëve, me qëllim rritjen e aftësisë së shoqërisë për t’u përballur me kërcënime hibride dhe dezinformim (NATO, 2024).
Një shoqëri e mirinformuar, me institucione stabile, transparente dhe funksionale, përbën një nga faktorët më vendimtarë në përballjen me këto kërcënime. Një nivel i lartë i ndërgjegjësimit publik dhe i edukimit mediatik e bën më të vështirë manipulimin e perceptimeve dhe përhapjen e dezinformimit, ndërsa institucionet e qëndrueshme rrisin aftësinë e shtetit për të parandaluar dhe përballuar format e ndryshme të presionit hibrid.
Resilienca si koncept strategjik i mbrojtjes së Kosovës ndaj kërcënimeve hibride
Resilienca në literaturën bashkëkohore të sigurisë përkufizohet si aftësia e një sistemi për t’i absorbuar goditjet, për t’u përshtatur dhe për t’u rimëkëmbur nga krizat, duke ruajtur funksionet e tij themelore.
Në kontekstin e kërcënimeve hibride, kjo nënkupton që shteti nuk fokusohet vetëm në parandalimin e sulmeve, por në ndërtimin e kapaciteteve që e bëjnë shoqërinë më rezistente ndaj manipulimit, destabilizimit dhe ndërhyrjeve të jashtme.
Sipas konceptit modern të sigurisë, resilienca është zhvendosur nga një qasje reaktive në një qasje proaktive strategjike. Michael Hartmann (2017), argumenton se kërcënimet hibride synojnë jo vetëm infrastrukturën fizike, por edhe proceset e vendimmarrjes politike dhe besimin institucional, duke e bërë resiliencën një mjet të domosdoshëm të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare (Hartmann, 2017:4).
Në këtë kuptim, Kosova duhet të adaptojë resiliencën jo si një komponent shtesë të sigurisë, por si arkitekturë qendrore të mbrojtjes shtetërore. Për Kosovën, ndërtimi i resiliencës strategjike mund të strukturohet në disa shtylla kryesore, të cilat ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe krijojnë një sistem të integruar mbrojtës ndaj kërcënimeve hibride.
Shtylla institucionale është themeli i resiliencës strategjike. Institucionet e forta, transparente dhe funksionale janë parakusht për stabilitet politik dhe rezistencë ndaj ndërhyrjeve të jashtme. Sipas Kalniete, S., & Pildegovičs, T. (2021), brishtësia institucionale rrit ndjeshëm ekspozimin ndaj ndikimeve të aktorëve hibridë në proceset politike, duke kontribuar kësisoj në uljen graduale të besimit publik në institucionet demokratike (Kalniete & Pildegovičs, 2021). Institucionet e besueshme janë mekanizmi më i fortë kundër dezinformimit dhe manipulimit, sepse qytetarët kanë referencë të qëndrueshme për të dalluar informacionin e saktë nga manipulimi.
Në epokën digjitale, hapësira kibernetike është kthyer në një fushë kryesore të konfliktit hibrid.
Sulmet kibernetike ndaj sistemeve shtetërore nuk synojnë vetëm dëmtim teknik, por edhe krijimin e pasigurisë institucionale dhe mosbesimit publik (NATO, 2024). Në rastin e Kosovës, mbrojtja ndaj kërcënimeve hibride nuk duhet të kuptohet vetëm si forcim i kapaciteteve ushtarake apo policore, por si krijim i një sistemi të qëndrueshëm shtetëror dhe shoqëror, i gatshëm të rezistojë ndaj operacioneve destabilizuese. Vetë natyra e kërcënimeve hibride synon të shfrytëzojë dobësitë e brendshme të shtetit, duke vepruar në fushat politike, informative, ekonomike, sociale dhe kibernetike. Për këtë arsye, resilienca duhet të vendoset në qendër të konceptit të sigurisë kombëtare të Kosovës.
Në kontekstin e sigurisë së Kosovës, një nga burimet kryesore të kërcënimeve hibride lidhet me aktivitetet politike, informative, kibernetike dhe diplomatike që vijnë nga Serbia si aktor shtetëror në rajon. Këto sfida nuk shfaqen në formën e një konflikti të hapur ushtarak, por përmes një ndërthurjeje mjetesh jo-konvencionale, të cilat synojnë të ndikojnë në stabilitetin institucional të Kosovës, në mënyrën se si ajo perceptohet në arenën ndërkombëtare si dhe në kohezionin e brendshëm shoqëror (KCSS, 2025:2).
Kosova ka nevojë për një transformim konceptual të qasjes së saj ndaj sigurisë.
Në vend të një modeli të bazuar kryesisht në reagimin ndaj kërcënimeve, ajo duhet të ndërtojë një model të bazuar në resiliencë kombëtare, ku shteti, shoqëria dhe partnerët ndërkombëtarë funksionojnë si pjesë e një sistemi të integruar mbrojtës. Vetëm një qasje e tillë gjithëpërfshirëse mund ta bëjë Kosovën më rezistente ndaj kërcënimeve hibride dhe më të aftë për të ruajtur stabilitetin, sigurinë dhe funksionimin demokratik në një mjedis strategjik gjithnjë e më kompleks.
Përballë këtyre sfidave, Strategjia e Sigurisë së Kosovës duhet të adaptojë një qasje më të avancuar të resiliencës kombëtare. Kjo nënkupton se kërcënimet që vijnë nga dezinformimi, ndikimi politik, operacionet kibernetike dhe instrumentalizimi i tensioneve etnike nga Serbia, duhet të trajtohen si pjesë e sigurisë kombëtare në të njëjtin nivel me kërcënimet tradicionale.
Për këtë arsye, një rishikim i ardhshëm i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës duhet ta vendosë resiliencën demokratike në qendër të arkitekturës së sigurisë kombëtare. Krahas forcimit të kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes, duhet të zhvillohen mekanizma të specializuar për monitorimin e dezinformimit, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, koordinimin ndërinstitucional dhe edukimin mediatik të qytetarëve. Vetëm përmes një qasjeje te tille gjithëpërfshirëse, Kosova mund dhe duhet të rrisë aftësinë e saj për t’u përballur me kërcënimet hibride dhe për të mbrojtur funksionimin demokratik të shtetit.

Të fundit nga rubrika