Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas kritikave ndaj qëndrimit të deputetëve të saj lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në reagimin e publikuar nga kjo parti, thuhet se vendosja e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe, për shkak të qëndrimit të tyre politik, përbën, sipas LDK-së, “përpjekje të ulët për linçim publik dhe kërcënim politik”.
“Vendosja e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe, për shkak të qëndrimit tonë parimor, logjik e shtetar, është përpjekje e ulët për linçim publik dhe kërcënim politik.
Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla.
Qëndrimi ynë buron nga përgjegjësia ndaj Kosovës. Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike. Çështje kaq të ndjeshme kërkojnë seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët tanë.
Po aq qartë, LDK nuk e braktis identitetin e vet ekzistencial. Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi. Askush nuk mund të na kërkojë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, aq më pak të na kërcënojë pse kërkojmë drejtësi.
Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi.
LDK-së nuk i caktohet qëndrimi me shantazh. Dhe nuk i merret identiteti me kërcënim.
U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe udhëheqësve të tyre të tregojnë përgjegjësi dhe të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit e përkrahësit e tyre. Të ndalin gjuhën e linçimit dhe të mos e kthejnë këtë çështje në betejë kundër njëri-tjetrit. Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq. Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim; nxitja e urrejtjes mes nesh vetëm e dobëson atë”, ka reaguar LDK-ja.