Vrasja e Arlinda Zekajt, ish-vjehrra ishte e pranishme kur ajo po goditej me sëpatë, por nuk ndërhyri
Katër persona të tjerë janë arrestuar të martën nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Hetimet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë zgjeruar ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylajt, ish-vjehrrës Nurije Sylaj, ish-kunatit Driton Sylaj, si dhe Metë Pepajt dhe Gëzim Bobit.
Sipas aktvendimit të siguruar nga Dukagjini, ish-vjehrra e viktimës, Nurije Sylaj, dyshohet se ishte e pranishme në dhomën ku Albert Sylaj e sulmoi Arlindën me sëpatë, por nuk ndërmori asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin.
Në aktvendim thuhet se Nurije Sylaj kishte qenë në shtëpi në ditën kritike, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur po kryhej sulmi ndaj viktimës.
Ndërkaq, ish-kunati i saj, Driton Sylaj, dyshohet se kishte përcjellë lëvizjet e Arlindës dhe kishte siguruar informacione për vendndodhjen e saj.
Sipas Prokurorisë, më 23 tetor 2026, ai e kishte incizuar viktimën duke ecur në qytet dhe videon ia kishte dërguar Nurije Sylajt përmes aplikacionit WhatsApp. Ky material, sipas aktvendimit, është gjetur në telefonin e saj.
Prokuroria vlerëson se Driton Sylaj i kishte ndërmarrë këto veprime duke qenë në dijeni për planin e personave të tjerë për privimin nga jeta të Arlindës dhe me qëllim të lehtësimit të kryerjes së veprës penale.
Po ashtu, pas vrasjes, Albert Sylaj e kishte njoftuar atë për ngjarjen.
Për këto veprime, Driton Sylaj dyshohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”.
Në anën tjetër, Metë Pepaj dyshohet se pas vrasjes e kishte marrë Albert Sylajn me automjetin e tij dhe e kishte transportuar deri në fshatin Bec, me qëllim që ta largonte nga vendi ku mund të lokalizohej dhe arrestohej nga organet e rendit.
Për këtë, ai dyshohet për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.
Ndërsa Gëzim Bobi dyshohet se kishte ndihmuar Albert Sylajn t'i shmangej arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë.
Sipas Prokurorisë, më 25 tetor 2026, pasi Albert Sylaj ishte transportuar nga Metë Pepaj në fshatin Bec, Bobi e kishte marrë dhe strehuar në banesën e tij në Gjakovë.
Një ditë më pas, më 26 tetor, rreth orës 11:30, ai dyshohet se e kishte transportuar me automjetin e tij në drejtim të fshatit Maznik, me qëllim që t'i mundësonte vazhdimin e fshehjes dhe shmangien nga arrestimi.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj, u vra më 25 tetor, rreth orës 21:00, në Vitomiricë të Pejës teksa më herët gjatë asaj mbrëmjeje, ajo kishte raportuar dhunë në familje.
Sipas Prokurorisë, ish-bashkëshorti i saj ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij ishte iniciuar procedurë për mospërfillje të gjykatës.
Pas kësaj, Arlinda ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin, siç kishte deklaruar Policia, “me vullnetin e saj”.
Pak më vonë, ajo ishte gjetur e vrarë, pasi ishte goditur me një mjet të fortë.















