Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, me 16 shtator 2026, i shpalli katër të akuzuarit fajtorë për krime të luftës (ndalimit ose arrestimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes), duke i dënuar me nga 25 vjet burgim Thaçin e Krasniqin, 18 vjet Veselin dhe 13 vjet Selimin. Trupi Gjykues i rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj katër të akuzuarve. (Koha.net, 16/09/2026). Por, menjëherë pas shpalljes së vendimit, Serbia filloi shfrytëzimin e tij propagandistik, duke e zhvendosur brenda një diskursi më të gjerë politik. Autoritetet serbe dhe mediat pro-qeveritare e paraqitën atë ekskluzivisht si “konfirmim të interpretimit të tyre mbi UÇK-në dhe luftën e Kosovës”.
Vendimi si “provë” kundër Kosovës
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq e cilësoi “konfirmim” të asaj që Serbia kishte deklaruar për më shumë se dy dekada, duke pretenduar se vendimi e kishte rrëzuar narrativën për UÇK-në si forcë çlirimtare dhe për luftën e saj si “luftë çlirimtare të drejtë” (RTS, 16/09/2026). Kjo qasje nuk lidhet drejtpërdrejt me vendimin, por është pjesë e një strategjie të strukturuar të komunikimit në Serbi, ku viktimizimi zë vend qendror në interpretimin e luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s. Përmes kësaj strategjie, “vuajtjet” e serbëve mbahen në qendër të kujtesës dhe diskursit publik, ndërsa rrethanat që çuan në luftën e armatosur për liri nuk permenden fare: represioni sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës, vrasjet dhe masakrat e kryera ndaj popullsisë civile, si dhe dëbimi masiv i shqiptarëve gjatë luftës (HRW, 2001). Kësisoj, vendimi i Hagës ka ardhur në një terren politik dhe mediatik që tashmë është i përgatitur për ta përvetësuar atë si “provë” të një narrative të ndërtuar dekada më parë. Pra, kemi të bëjmë me zhvendosje nga “drejtësia” në propagandë: një aktgjykim që sipas trupit gjykues lidhet me “përgjegjësi penale individuale”, në diskursin politik serb interpretohet si “provë” për karakterin e UÇK-së dhe luftës së saj për liri. Në të njëjtën linjë ishte edhe raportimi i mediave të afërta me pushtetin në Serbi. Agjencia SRNA e titulloi raportimin e saj “81 vjet burg për udhëheqësit e UÇK-së terroriste”, duke e cilësuar UÇK-në si “terroriste” që në titull, ndërsa RTRS publikoi reagimin e ministrit të Drejtësisë të Republikës Srpska, Goran Selak, me titullin “Lirimi nga akuzat për krime kundër njerëzimit është fyerje për viktimat”. Në një tjetër raportim të SRNA-s, qëndrimi i Selakut u përmbledh në titullin “Aktgjykimi ndaj udhëheqësve të UÇK-së terroriste – poshtërim i viktimave serbe” (SRNA, 16/09/2026; RTRS, 16/09/2026).
Ky është as më shumë e as më pak se sa vazhdim i një manipulimi tashmë të njohur të kujtesës historike dhe të narrativës politike në Serbi: “Serbia si viktimë, serbët si viktima, shqiptarët si agresorë dhe Perëndimi si aktor që i dha legjitimitet agresorit”. Vendimi i Hagës futet në këtë skemë si një element i ri autoriteti. Pra, nuk është e re narrativa e viktimizimit, por përpjekja për t’i dhënë asaj një vulë të re juridike ndërkombëtare. Aktgjykimin dënues ndaj liderëve të UÇK-së, Serbia po e përdor si “certifikim ndërkombëtar” për narrativat e saj strategjike. Pikërisht për këtë arsye, deklarata e Daçiqit ka një dimension politik përtej përmbajtjes së saj të drejtpërdrejt, sepse, sipas tij, aktgjykimi kishte rrëzuar vetë idenë e “luftës çlirimtare”. Një lëvizje e tillë retorike synon ta instrumentalizojë vendimin, duke e shtrirë narrativën jo vetëm ndaj luftës çlirimtare, por edhe ndaj shtetit të Kosovës, i cili ishte rezultat i asaj lufte dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për ta ndaluar spastrimin etnik në Kosovë (NATO, Kosovo: The Real Story, 06/04/2000).
Edhe hulumtimet mbi politikën e kujtesës në Serbi ofrojnë argumente për një interpretim të tillë. Në artikullin e saj “Why and how victimhood matters? Between strategic ontological narratives and intersectional injustice in contemporary Serbia”, Jessie Barton Hronešová, argumenton se elitat politike serbe kanë përdorur në mënyrë strategjike narrativat e “viktimizimit” dhe të “padrejtësisë historike” për të mbështetur diskurset mbi të kaluarën dhe për të justifikuar orientimet politike të së tashmes. Sipas autores, nën pushtetin e zgjatur të Aleksandar Vuçiq, viktimizimi është shndërruar në një kornizë të centralizuar të komunikimit politik, e artikuluar përmes paraqitjeve të tij personale dhe mediave pro-regjimit (Hronešová, 2025:533-538). Në rastin e Kosovës, kjo narrativë tenton t`i paraqesë serbët e Kosovës si komunitet i “kërcënuar” dhe Serbinë si subjekt i “padrejtësive” të vazhdueshme ndërkombëtare. Prandaj, instrumentalizimi i vendimit duhet analizuar si vazhdimësi e komunikimit strategjik të Serbisë në shërbim të prodhimit, konsolidimit dhe promovimit politik të narrativave mbi të kaluarën dhe kujtesën kolektive (Fetoshi, 2026). Hulumtimet mbi diskursin nacionalist serb kanë treguar prej kohësh se mediat luajnë rol të rëndësishëm në riprodhimin e figurës së serbëve si “viktima” të shqiptarëve të Kosovës. Erjavec dhe Volčič (2007), në analizën e tyre të mediave serbe, kanë konstatuar se diskursi dominant nacionalist i paraqiste serbët si viktima të shqiptarëve. Sipas autorëve, kjo kornizë mbështetej në përvetësimin dhe përshtatjen e diskurseve ndërkombëtare mbi “krimin” dhe “luftën kundër terrorizmit”, të cilat, të përshtatura në kontekstin politik serb shërbenin për t`i paraqitur shqiptarët si burim “kërcënimi” dhe për të legjitimuar interpretimin nacionalist të konfliktit (Erjavec & Volčič, 2007:67-68; Erjavec & Volčič, 2007:123-124). Kësisoj, vendimi i Hagës i ofron Serbisë hapësirë për ta instrumentalizuar atë në funksion të një narrative politike tashmë të konsoliduar ndaj Kosovës, duke e “mveshur” me autoritet juridik. Për propagandën serbe kjo është shumë e dobishme: një narrativë e prodhuar fillimisht nga politika dhe media po paraqitet tani si e mbështetur nga një gjykatë ndërkombëtare. S`do mend se pushteti dhe mediat e kontrolluara serbe po e rikontekstualizojnë dhe integrojnë atë brenda strategjisë së komunikimit, duke i dhënë interpretimit të tyre peshën e natyrës ndërkombëtare të procesit gjyqësor.
Sipas kësaj strategjie, vendimi i Hagës mund të projektohet si pjesë e re e të njëjtës skemë. Bombardimet e vitit 1999, “viktimat serbe”, “dëbimi i serbëve pas luftës”, “krimet e UÇK-së” dhe vendimi i Hagës vendosen brenda një kornize të vetme narrative. Përfundimi që synohet është i qartë: Serbia ishte “viktima”, shqiptarët ishin “agresori” dhe ndërhyrja ndërkombëtare ishte “e padrejtë” ndaj Serbisë. Kësisoj, një vendim gjykate i vitit 2026 integrohet në një diskurs politik dhe mediatik që nuk merret me çeshtjen penale, por synon ta tjetërsojë të vërtetën për luftën e Kosovës, me qëllim që ta ashpërsojë politikën destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës.
Kornizimi mediatik në shërbim të qëllimit politik
Instrumentalizimi i vendimit të Hagës bëhet më i kuptueshëm në kontekstin aktual të sistemit mediatik serb. Problemi është se hapësira mediatike serbe është e pabarabartë dhe se mediat pro-regjimit kanë një avantazh të madh në qasje, shtrirje dhe ndikim. Sipas Freedom House, partitë në pushtet në Serbi kanë zgjeruar ndikimin mbi mediat përmes kontrollit të ndërmarrjeve shtetërore dhe mediave private që varen nga financimi qeveritar. Raporti nënvizon gjithashtu se mjedisi mediatik karakterizohet nga propaganda dhe manipulimi i fakteve në tema të caktuara, përfshirë politikën e Serbisë ndaj Kosovës (Freedom House, 2024). Reporterët pa Kufij (RSF) po ashtu e përshkruajnë hapësiren mediatike si një mjedis ku propaganda dhe lajmet e rreme bashkëjetojnë me gazetarinë profesionale dhe ku mediat kritike ndaj pushtetit përballen me presion politik dhe ekonomik (Reporters Without Borders, 2026).
Në një sistem të tillë mediatik të kontrolluar në masë të madhe nga qeveria, mënyra se si raportohet një vendim gjyqësor kontribuon qëllimshëm për instrumentalizimin e tij në funksion të diskursit politik. Titulli, përzgjedhja e deklaratave, përdorimi i fotografive, përsëritja e termave “terroristë”, “kriminelë”, “viktima serbe” dhe “padrejtësi ndërkombëtare” krijojnë përceptim dhe interpretim të ngjarjes përpara se publiku të ketë mundësi ta analizojë përmbajtjen juridike të aktgjykimit. Ky është një mekanizëm klasik dhe i njohur i propagandës serbe, nuk është gjithmonë e nevojshme të fabrikohet një fakt, mjafton të kornizohen në një hierarki selektive. Dënimi i katër lidereve të UÇK-së bëhet titulli kryesor, rrëzimi i krimeve kundër njerëzimit bëhet dytësor, shmanget fare ose kornizohet si “padrejtësi”, ndërsa konteksti i gjerë i luftës dhe krimet e dokumentuara të forcave serbe ndaj shqiptarëve mbeten jashtë kornizës së lajmit.
Kjo mënyrë e ndërtimit të narrativës është në përputhje me atë që shumë studiues e kanë identifikuar si politikë të viktimizimit në Serbi. Sipas Jessie Barton Hronešová, elitat politike serbe e kanë përdorur viktimizimin për ta paraqitur Serbinë si objekt të vazhdueshëm të padrejtësive dhe armiqësisë së jashtme. Sipas saj, kjo narrativë është përhapur përmes një komunikimi politik të centralizuar dhe mediave pro-regjimit (Hronešová, 2025:538–539). Këtu qëndron edhe karakteri më problematik i instrumentalizimit. Beogradi nuk e përdor vendimin për të kërkuar drejtësi, por për ta rikthyer në diskursin publik çështjen e legjitimitetit të Republikës së Kosovës. Në deklaratën zyrtare të Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq e lidhi drejtpërdrejt vendimin me pretendimin se Kosova nuk mund të ndërtohet mbi “varre masive” të serbëve (Government of Serbia, 2026).
Kjo strategji komunikimi, ka një histori të gjatë në mediat serbe. Në analizën e saj të titulluar “Kosovo 1989: The (Ab)use of the Kosovo Myth in Media and Popular Culture”, Radina Vuçetiq (2021), argumenton qartë se përdorimi politik i “mitit të Kosovës” dhe i figurës së shqiptarëve si kërcënim ka një histori shumë më të gjatë dhe se mediat kanë qenë instrument qendror në këtë proces (Vučetić, 2021:227-228, 239-240). Prandaj, vendimi i Hages i vitit 2026 nuk e krijon narrativën e viktimizimit serb, ai i jep asaj një burim të ri simbolik. Ndonëse narrativa ekzistonte më parë, tani mund të thuhet, “Edhe Haga e konfirmoi”. Kjo formulë ka potencial të madh propagandistik sepse e paraqet një interpretim politik si pasojë të një vendimi juridik. Problemi i propagandës serbe nuk qëndron në faktin se ajo flet për viktimat. Problemi qëndron në monopolizimin e figurës së viktimës dhe në përdorimin e saj për të ndërtuar një histori ku Serbia është vazhdimisht viktimë, ndërsa përgjegjësia e saj historike zhvendoset në plan të dytë. Prandaj, vendimi i Hagës në këtë mekanizëm përbën një hallkë te re që përdoret për ta rishkruar historinë, e cila nuk fillon në vitin 2026 dhe nuk përfundon me këtë aktgjykim. Pikërisht në përpjekjen për ta kornizuar aktgjykimin si “provë” në interpretimin e historisë, luftës dhe shtetësisë së Kosovës qëndron thelbi i instrumentalizimit të vendimit të Hagës nga politika dhe komunikimi strategjik i Serbisë.