Krijuesi amerikan i filmave dhe komentatori politik, Bekim Bahrawy i njohur edhe si Beck Lover, ka ngritur shqetësime lidhur me bashkëpunimin e Serbisë me Izraelin për prodhimin dhe montimin e dronëve, duke e cilësuar këtë zhvillim si pjesë të një ndryshimi të mundshëm të balancave të sigurisë në Ballkan.
Në një intervistë me gazetarin dhe komentatorin amerikan Jimmy Dore, Bahrawy foli për hapjen e një fabrike në Serbi për montimin e dronëve të prodhuar nga një kompani izraelite, duke vënë theksin te fakti se Serbia nuk është anëtare e NATO-s dhe se tradicionalisht ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Rusinë.
“Çfarë nuk ka kuptim është se një vend joanëtar i NATO-s, Serbia, po pajiset me teknologji të avancuar ushtarake”, tha Bahrawy.
Ai përmendi edhe bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, si dhe lidhjet historike dhe politike ndërmjet Beogradit dhe Moskës.
Pse Serbia po armatoset me teknologji të avancuar?
Sipas tij, zhvillimi i industrisë së dronëve në Serbi duhet të shihet në kontekstin e ndryshimeve të mundshme strategjike në Evropën Juglindore.
“Kur njerëzit fillojnë të armatosen, kjo nënkupton një ndryshim të madh të fuqisë. Ata po përgatiten të bëjnë një lëvizje”, tha ai.
Ai ngriti edhe pyetjen nëse armatosja e Serbisë mund të lidhet me tensione të ardhshme në Kosovë apo në Bosnje e Hercegovinë, duke përmendur në veçanti situatën në Republika Srpska.
“Kosova është ndër vendet më pro-amerikane”
Në intervistë, Bahrawy e krahasoi pozicionin e Serbisë me atë të Kosovës, duke argumentuar se shqiptarët në Kosovë kanë marrëdhënie veçanërisht të afërta me Shtetet e Bashkuara.
Ai tha se Kosova është ndër vendet më pro-amerikane dhe pro-perëndimore në Evropë dhe ngriti pyetjen pse, sipas tij, SHBA-ja dhe aleatët perëndimorë nuk kanë ndërmarrë hapa që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.
Bahrawy përmendi edhe simbolet e lidhjes së Kosovës me SHBA-në, duke thënë se në Kosovë ka rrugë dhe hapësira publike që mbajnë emrat e figurave amerikane, raporton Telegrafi.
“Pse po e armatosin Serbinë me armët më moderne, ndërsa Kosova ende nuk është pjesë e NATO-s?”, pyeti ai.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.
Bahrawy kundërshtoi pretendimet se ndërhyrja e NATO-s ishte e bazuar në “propagandë” apo se krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës ishin të fabrikuara.
Ai përmendi masakrën e Reçakut, dëbimin e popullsisë shqiptare dhe raportimet ndërkombëtare për krimet gjatë luftës.
“Ka mbi një milion refugjatë. Ishte në rrugën drejt një spastrimi të plotë etnik”, deklaroi ai, duke e paraqitur ndërhyrjen e SHBA-së dhe NATO-s si faktor që, sipas tij, parandaloi një katastrofë më të madhe humanitare.
Në të njëjtën kohë, gjatë intervistës u përmendën edhe pretendime dhe interpretime alternative lidhur me bombardimet e NATO-s dhe zhvillimet në Kosovë. Bahrawy kundërshtoi këto interpretime, ndërsa theksoi se nuk i konsideron të gjithë serbët përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ’90.
Duke folur për rrezikun e një konflikti të ri, Bahrawy përmendi edhe situatën në Bosnje e Hercegovinë, veçanërisht Republika Srpskan.
Ai ngriti pyetjen nëse armatosja e Serbisë mund të ketë lidhje me zhvillimet në këtë pjesë të rajonit.
“Është një zonë ku nuk duhet të luhet me zjarrin. Shumë katastrofa kanë ndodhur atje gjatë historisë”, tha Bahrawy.
Shqiptarët kanë bashkëjetuar me komunitete të ndryshme fetare
Në pjesën e fundit të intervistës, Bahrawy foli edhe për historinë dhe identitetin shqiptar.
Ai theksoi bashkëjetesën ndërfetare në mesin e shqiptarëve dhe përmendi faktin se shqiptarët kanë qenë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, ndërsa komuniteti hebre ka jetuar gjithashtu në mesin e tyre.
Bahrawy foli edhe për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit, duke thënë se ky kapitull i historisë shqiptare nuk është trajtuar sa duhet në kulturën popullore dhe në industrinë filmike.
Ai përmendi gjithashtu figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe rolin e tij në historinë shqiptare dhe evropiane.
Në përfundim, Bahrawy përsëriti se Ballkani nuk duhet të kthehet në një arenë të re konflikti dhe se popujt e rajonit duhet të fokusohen në stabilitet, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim.
Bekim Bahrawy, i njohur publikisht si Bek Lover, shqiptaro-amerikan, podkaster, krijues përmbajtjeje dhe folës motivues.