Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen e dy personave në Livoç të Ulët është vetëdorëzuar në Polici dhe po intervistohet në praninë e avokatit.
Hashani, në emisionin “FIVE” në Dukagjin, deklaroi se motivet e rastit ende nuk dihen, ndërsa personi i plagosur është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku dyshohet se ka pësuar lëndime të rënda.
Ai ka konfirmuar se viktimat kanë pasur lidhje të ngushta familjare.
Hashani, mes tjerash, bëri të ditur se ekipet përkatëse janë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të hetuar të gjitha rrethanat që çuan në këtë ngjarje.
Tutje, tha se trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Vrasja na ka tronditur të gjithëve jo vetëm në Gjilan, nga hetimet e para është konfirmuar nga ekipet mjekësore se dy personat kanë humbur jetën nga arma e zjarrit. Ekipet mjekësore janë në vendit e ngjarjes dhe po punohet intensivisht që të hetohen të gjitha rrethanat që quan tek kjo ngjarje e rëndë. I dyshuari është vetëdorëzuar dhe po intervistohet teksa ende nuk dihen motivet e këtij rasti. Viktimat kanë lidhje të ngushta familjare por për shkak të ndjeshmërisë së rastit këto janë informacionet që mund të ndajmë. Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obuksion ndërsa i dyshuari në prezencë të avokatit është duke u intervistuar. Personi i lënduar është dërguar në QKUK dhe i njëjti dyshohet se lëndime të rënda”, u shpreh Hashani.
Policia jep detaje: Dy të vrarë e një i plagosur në Gjilan, vetëdorëzohet i dyshuari