Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Gjatë takimit, Abdixhiku theksoi qëndrimin e partisë së tij kundër draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin ai e cilësoi si një dokument që krijon autonomi territoriale brenda Kosovës.

“Gjatë takimit, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend, veçanërisht për procesin e dialogut Kosovë – Serbi si dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

E urova për detyrën e marrë dhe e njoftova emisarin Sorensen me qëndrimet e Lidhjes Demokratike rreth dialogut; se LDK i jep përkrahje procesit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; me theks të veçantë në arritjen e njohjes së ndërsjellë. E njoftova në veçanti dhe me pozicionin tonë për refuzimin e draft statutit të Asociacionit të pranuar nga Qeveria në largim; si dokument i autonomisë territoriale brenda Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Një tjetër çështje e ngritur nga Abdixhiku ishte kërkesa drejtuar Bashkimit Evropian për të hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Sipas tij, këto masa jo vetëm që po dëmtojnë qytetarët, por gjithashtu po ndikojnë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit.

“Kërkova që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese për Kosovën sepse të njëjtat përveçse po dëmtojnë qytetarët tanë, dëmtojnë edhe vetë procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në familjen euroatlantike!

Po ashtu shpreha besimin se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për integrim si dhe në proceset tjera”, ka shtuar Abdixhiku.

Osmani pas takimit me Sorensenin: Kosova meriton trajtim të barabartë në dialogun me Serbinë

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit me dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka theksuar se Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Kurti – Sorensenit: BE të heqë masat ndaj Kosovës, Marrëveshja Bazë të zbatohet

Gjatë ditës edhe kryeministri, Albin Kurti, takoi Sorensenin, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Ai e cilësoi paradoksale vendosjen e këtyre masave, ndërsa theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit.