Auditimi i brendshëm në QKUK nxjerr në pah keqmenaxhimin, paralajmrohen masa

Klinikat e QKUK-së i janë nënshtruar një auditimi të brendshëm nga prilli i vitit të kaluar e deri në korrikun e këtij viti dhe raporti ka konfirmuar se ka pasur mangësi në planifikimin e furnizimit me barna e mos përputhje ndërmjet hyrjeve dhe daljeve. Ministri i Shëndetësisë paralajmëron masa disiplinore ndaj zyrtarëve që meren me menaxhimin e stoqeve në klinika

Për muaj pati mungesë të disa loteve të penjëve kirurgjik, të cilët pacientët u detyruan t’i blejnë vet.

Më pas furnizimi qe i pjesshëm dhe situata u përsërit, siç ndodhi edhe me lotet e stendave.

Po këto nuk ishin problemet e vetme, pasi që pacientët që shërbimet mjeksore i marrin në Qendren Klinike e Universitare të Kosovës u përballen edhe me mungesa të barnave tjera.

Më të shpeshtat e të kushtueshmet ishin ato në Klinikën e Onkologjisë që patën kosto edhe deri në 5 mijë euro.

Kësisoj, për t’i evituar këto probleme klinikave të QKUK-së iu bë një auditim i brendshëm dhe raporti evidentoi hallkat ku kishte ngecje.

“Raporti i auditimit ka evidentuar mangësi në planifikimin, furnizimin, menaxhimin dhe monitorimin e barnave dhe materialeve medicinale. Ndër çështjet e evidentuara janë planifikimi pa mbulim të qartë financiar, mospërputhjet ndërmjet planifikimit dhe hyrjeve, inicimi i kontratave pa u bazuar në gjendjen reale të stokut, si dhe mangësitë në gjurmueshmërinë dhe mbikëqyrjen e procesit të furnizimit”.

Për shkeljet që u evidentuan, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pati një paralajmërim.

“Në mbledhjen e fundit të bordit ka kërkuar që të meren masat e nevojshme dhe janë përcaktuar edhe afatet kohore për marrjen e masave edhe atyre masave disiplinore aty ku ka nevojë por sidomos masave të përmirësimit aty ku ka nevojë pra për përmirësimin e të gjeturave”, ka thënë Arben Vitia, ministër i Shëndetësië.

Gazetari Bujar Vitija, që mbulon sektorin e shëndetësisë, e konsideron si inkurajues raportin.

“Është e rëndësishme që të kërkohet llogaridhënie nga menaxhmenti i SHKSUK-së dhe QKUK-së pse nuk janë krijuar kushte deri më tani që së paku të minimizohen këto vonesa dhe të mos ketë zgjatje të mungesës së produkteve bazike si penj kirurgjik e deri tek barnat për sëmundje të rënda”, ka thënë Bujar Vitija, gazetar i shëndetësisë.

Ankesat për mungesen e barnave i pranuan edhe Shoqata e Pacientëve të cilët kërkojnë të ndërmeren hapa.

“Duhet të ketë masa edhe ndaj operatorëve ekonomikë që kanë qenë të papërgjegjshëm në përmbushjen e obligimeve të tyre. Po ashtu, është e rëndësishme që institucionet të publikojnë vendimet për masat e marra, qoftë ndaj përgjegjësve brenda institucioneve, ndaj operatorëve ekonomikë, apo masat e tjera të ndërmarra për korrigjimin e problemeve në furnizim”.

Sipas afateve të përcaktuara, brenda 15 ditëve, drejtori i përgjithshëm duhet t’i raportoj bordit drejtues për rastet e referuara dhe masat e ndërmarra.

Të fundit nga rubrika