Kilaj pas lirimit nga Specialja: Ky proces ishte i padrejtë që nga fillimi, dënimi ndaj shokëve është politik
Isni Kilaj, i cili u shpall i pafajshëm nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj tij dhe të tjerëve nuk është dashur të fillonte fare, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
Pas shpalljes së aktgjykimit në rastin për pengim të drejtësisë, Kilaj. në "Debat Plus" tha se, ndonëse është liruar, edhe ai e konsideron veten të dënuar, pasi ka mbajtur 18 muaj në burg dhe për tre vjet ka qenë pjesë e një procesi që e cilësoi të stërzgjatur e të mundimshëm.
“Fatkeqësisht që vetëm unë jam liru. Ky proces nuk do të duhej të fillonte fare, sepse e konsideroj që ka qenë dhe është i padrejtë që nga fillimi i nisjes së tij. Qëllimi, tendencat dhe presioni kanë qenë politikë për të pasur një proces të tillë”, u shpreh Kilaj.
Ai tha se edhe të tjerët që u dënuan vazhdojnë të jenë të bindur për pafajësinë e tyre, ndërsa pretendoi se ndaj tyre kishte pasur presion për ta pranuar fajësinë.
“Jo vetëm unë, por edhe shokët e mi që sot morën dënim ishin të bindur dhe do të jenë përherë të bindur që jemi të pafajshëm, sepse asnjë arsye e bazë nuk ka pasur për të pasur një proces e dënim të tillë që u shqiptua ndaj shokëve të mi”, deklaroi ai.
Kilaj shtoi se, pavarësisht shpalljes së pafajshëm, periudha e kaluar në paraburgim dhe kufizimet gjatë qëndrimit në shtëpi kanë qenë, sipas tij, një dënim.
“Realitetisht edhe unë jam i dënuar, sepse kam mbajtur 18 muaj burg dhe qe tri vite i kam bërë që jam në këtë proces të stërzgjatur e të mundimshëm. Kam qenë në shtëpi, por nën kushte të rrepta kufizimesh. Ka pasur presion të madh për të pranuar fajësinë, por ne ishim të pafajshëm. Dënimi i sotëm është politik dhe i pabazë”, tha Kilaj.
Ai foli edhe për takimin me ish-presidentin Hashim Thaçi, pas shpalljes së aktgjykimit, duke thënë se kishin pasur mundësi të qëndronin me të vetëm për pak minuta.
“Thaçin e kemi takuar për pak minuta nën prezencën e rreptë të gardianëve, por qëndrimi i tij vazhdon të mbetet dinjitoz, ashtu siç i takon një burrështetasi të një populli që ka luftuar për liri dhe e ka arritur atë falë luftës dinjitoze e çlirimtare që e kanë bërë Thaçi e shokët e tij, ku sot jemi të lirë”, u shpreh Kilaj.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur aktgjykimin në rastin për pengim të drejtësisë, ku ish-presidenti Hashim Thaçi dhe katër të tjerë akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu me nga 12 muaj burgim, ndërsa Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht. Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm.















