Gjini kërkon shqyrtimin e shfuqizimit të Ligjit për Specialen, kritikon Qeverinë për krizën energjetike
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta trajtojë mundësinë e shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, duke ritheksuar se partia e tij nuk e kishte votuar atë në vitin 2015.
Pas mbledhjes së Kryesisë, në një konferencë për media, Gjini ka komentuar edhe dënimin e shqiptuar ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se Aleanca mbetet në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
“Fatkeqësisht, tashmë për një kohë të gjatë Kosova po merr vetëm lajme të këqija. Kemi harruar se kur kemi marrë ndonjë lajm të mirë për vendin tonë dhe besojmë se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë këtë situatë. Sot kemi edhe dënimin shtesë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Aleanca mbetet pranë qëndrimeve të saj të qarta, në mbështetje të të gjithë luftëtarëve të UÇK-së, të cilët janë gjykuar në Gjykatën e Specializuar”, ka deklaruar Gjini.
Një pjesë të konferencës, kreu i AAK-së ia ka kushtuar edhe situatës në sektorin e energjisë, për të cilën ka thënë se Kosova po i afrohet kolapsit energjetik.
Ai ka fajësuar Qeverinë për këtë gjendje, duke e lidhur me neglizhencën dhe mungesën e kompetencës në menaxhimin e sektorit.
“Prej disa muajsh, që nga korriku, ne e kemi parë rrugën se ku po shkon kjo situatë, ndërsa sot Kosova gjendet në një gjendje tepër tronditëse, pothuajse çdo ditë pranë kolapsit energjetik. Faji është tërësisht në Prishtinë, faji është te Qeveria e Kosovës, për shkak të neglizhencës, mungesës së kompetencës dhe, sipas të gjitha gjasave, edhe për shkak të korrupsionit në të gjithë sektorët”, është shprehur Gjini.
Ai ka kundërshtuar edhe vendimin për ndalimin e importit të energjisë elektrike nga Serbia, duke e cilësuar atë si përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme të sektorit energjetik.
Gjini ka kritikuar gjithashtu anulimin e projektit të termocentralit me kompaninë ContourGlobal dhe refuzimin e projektit të gazit amerikan, duke pretenduar se këto vendime e kanë lënë Kosovën të varur nga importi i energjisë.
“Qëllimi ka qenë që Kosova të bëhet prodhuese e energjisë, të mos varet nga importi dhe nga mafia energjetike që këta njerëz e kanë instaluar. E kanë anuluar projektin me ContourGlobal, për të cilin kemi paguar edhe 21 milionë euro në arbitrazh, si dhe e kanë refuzuar gazin amerikan. Kjo do të thotë se këta nuk mendojnë as në afat të shkurtër, as për periudhën afatmesme dhe as për atë afatgjatë”, ka thënë Gjini.
Kritika ai ka adresuar edhe për ndarjen e mjeteve buxhetore për projektet infrastrukturore, duke përmendur në veçanti rrugën Prishtinë–Durrës, për të cilën ka thënë se nuk janë ndarë mjetet e nevojshme për fillimin e realizimit.
Gjini ka ngritur edhe çështjet e shëndetësisë, arsimit dhe prodhimtarisë vendore, duke akuzuar Qeverinë se po i dëmton prodhuesit vendorë përmes instrumenteve shtetërore.
Në fund, ai ka bërë të ditur se këto tema janë diskutuar në mbledhjen e Kryesisë së AAK-së, ndërsa ka paralajmëruar vazhdimin e takimeve me qytetarët në terren.















